E Enjte, 5 Nëntor 2026

Situata në veri/ Vllahiu: Asnjëra palë nuk është e gatshme për dialog

Analisti,  Arbër Vllahiu në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me krizën e krijuar në veriun e Kosovës dhe rrezikun e një përplasjeje të armatosur në bazë të zhvillimeve të fundit.

Sa të vërteta ka në deklaratat që vijnë si nga Tirana dhe nga Prishtina për rrezikun e një përplasjeje të armatosur në veriun e Kosovës?

“Kjo që ka ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, posaçërisht në zbulimin e kësaj pjese armatimi në veri të vendit jep sinjale shumë negative dhe madje edhe shenja shumë të rrezikshme se veriu i Kosovës vërtetë po përgatitet që të jetë në një përballje më e madhe dhe një skenë ku do të ketë më shumë përplasje dhe më shumë gjakderdhje”, tha ai duke theksuar se dikush do donte që të shihte këtë situatë. Vllahiu thekson se formacionet kriminale janë rikthyer në veri të Kosovës dhe kërkojnë përshkallëzim të situatës duke shkaktuar pasiguri të shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës.

“Policia e Kosovës ka bërë një veprim dhe një punë të mirë që ka ndaluar një përshkallëzim të situatës, posaçërisht para se të shënohet 28 qershori”, shton ai duke theksuar se kjo ditë festohet nga serbët dhe mund të sjellë telashe.

Ka zëra që thonë se në këtë datë të rëndësishme për serbët, këta të fundit mund të vetëshpallin autonominë në veriun e Kosovës. Sa qëndron kjo?

“Ka pasur shumë herë deklarime të tilla”, thotë Vllahiu. “Por, duhet parë edhe reagimi i BE dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në tërësi. kjo do të jetë një lojë tjetër politike, e cila do të fuste serbët e Kosovës dhe Serbinë në veçanti në një pozicion shumë të vështirë, shumë më drejtëpërdrejtë të shkeljes së të gjitha marrëveshjeve”, shton ai, duke theksuar se këto paralajmërime ka pak gjasa të bëhen realitet.

A kemi një ripozicionin të ndërkombëtarëve dhe atyre që duan të ulin palët në dialog, pas këtyre ndodhive të fundit?

“Asnjëra palë nuk është e gatshme që të ulet e të de-përshkallëzojë situatën dhe posaçërisht Beogradi zyrtar nuk është i interesuar që kjo situatë të jetë e shtendosur në veri të Kosovës sepse ka të vetmen qëndrim të cilin nuk ka të bëjë me njerëzit, nuk ka të bëjë me serbët e Kosovës por ka të bëjë me territorin e Kosovës. Kurti do që me një formë të tregojë gjithë këtë fuqinë e pushtetit të tij që ka”, thekson ai duke shtuar se Kurti ka harruar se serbët e veriut janë pjesë e Republikës së Kosovës dhe duhen trajtuar si qytetarë të zakonshëm, duke treguar se shtrirja e ligjit në atë zonë është edhe në interesin e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›