E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë dramatike nga zjarri në Rriban të Mallakastrës, policia evakuon 15 familje

Policia e Fierit ka ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Riban në Mallakastër, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe ka rrezikuar zonat e banuara.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 15 familje, si dhe bagëtitë dhe kafshët shtëpiake të banorëve, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës së tyre.

Në operacion janë angazhuar efektivë të Komisariatit të Policisë Mallakastër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat e emergjencave civile.

Ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avion Canadair, të cilët po ndihmojnë në izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të situatës dhe mbrojtjen e banorëve të zonës.

Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve, nëse rezulton se zjarri është shkaktuar nga veprime të paligjshme.

Policia u bën apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Autoritetet ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie në numrin 112.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›