E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sizifi, veriu dhe lindja

Vërtet nuk e kam të qartë për çfarë ruajtjeje të integritetit territorial këmbëngulet kaq shumë kur në tërë veriun e Kosovës (jo vetëm në tri komunat serbe për të cilat parashihet këmbimi) kontrollin e plotë e ka një shtet tjetër, Serbia, në kohën kur cenim i integritetit territorial konsiderohet edhe vetëm kalimi i paparalajmëruar nëpër hapësirën ajrore nga një fluturake e huaj që e ka humbur rrugën

Sizifi fatkeq ishte ndëshkuar me kryerjen e punës më të kotë e të pafrytshme në botë. Ishte i detyruar ta shtynte gurin deri në majë të kodrës i cili, pastaj rrokullisej prapë teposhtë dhe kështu ai ishte i dënuar ta përsëriste të njëjtin ritual të shtyrjes për tërë jetën.

Nuk ishte Sizifi ai që ma kujtoi politikën e lidershipit të Kosovës. Ishte e kundërta. Është e pamundur të mos e bësh këtë paralele kur i dëgjon e i sheh mendimet e veprimet e ngurta statujë të tyre përballë çështjeve me domethënie aq të rëndësishme për të tashmen e të ardhmen tonë. Dogmatizmi i tyre, të cilin ata e përkthejnë si konsekuencë ndaj parimeve, ka bërë që në agjendën e së ardhmes së Kosovës të mos ndryshojë asgjë. Edhe nesër, sikurse sot do të merremi me probleme të njëjta. As nesër veriu i Kosovës nuk do të jetë e djeshme. Do të vazhdojmë ta rrokullisim këtë gur për aq kohë sa ta kuptojmë që kjo nuk është detyrë jona, por e Sizifit.

Dy format e refuzimit

Koncepti i zgjidhjes së çështjeve mbi baza etnike, brenda pak muajve, u promovua nga dy figura jo pak të rëndësishme amerikane. I pari ishte ish-ambasadori William Montgomery e tani edhe kongresisti Dana Rohrabacher. Reagimi nga lidershipi në Kosovë nuk ishte befasues: ishte stereotip, emocional, - si gjithmonë. Megjithatë, një gjë bie në sy. Sikur të njëjtën deklaratë ta jepte ndonjë ish-ambasador rus apo ndonjë anëtar i Duma-s ruse reagimi do të ishte edhe më banal dhe monoton. Prodhimi amerikan i këtyre qëndrimeve ka bërë që megjithatë nga dikush të bëhen përpjekje për arsyetimin e refuzimit. Të gjendet një formë më elegante e këtij refuzimi. Dy janë shtyllat në të cilat mbahet ky refuzim:

1) Parimi i ruajtjes së integriteti territorial, dhe

2) Dobishmëria, si përpjekje më racionale por gjithashtu e paqëndrueshme e arsyetimit që në vete ngërthen brengën e sigurisë, frikës nga efekti domino, disponimin ndërkombëtar, çështjen Gazivoda etj.

1) Parimi i ruajtjes së integritetit territorial

Përderisa DOGMATIZMI mohon diskutueshmërinë e ideve, pikëpamjeve a vijës së përcaktuar, KONSEKUENCA pohon moslëshimin e kësaj vije. Kur vija është e gabuar konsekuenca njëjtësohet me dogmatizmin. Pra, shndërrohet në diçka të dëmshme - në dogmatizëm konsekuent. Bëhet e tillë si ajo e lidershipit të Kosovës ndaj çështjes së veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore. Dhe kjo është kështu për shkak të gabimit në përcaktimin e drejtë të objektivit. Ata nuk e kanë ndërtuar konsekuencën në raport me zgjidhjen e çështjes por në raport me parimin e zgjedhur. Për ta nuk është e rëndësishme të zgjidhet vërtetë problemi por të mos shkelet parimi për të cilin janë përcaktuar, qoftë edhe gabimisht. Janë përcaktuar për integritet territorial në rrethana në të cilat përpjekja për ruajtjen e këtij parimi është përpjekje për ruajtjen e problemeve të pazgjidhura. Ndërkohë që refuzojnë parimin e vetëvendosjes deri në shkëputje për qytetarët e këtyre dy rajoneve, si parim që do ta mundësonte arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, në mënyrë qenësisht demokratike dhe me garanci kredibile për siguri e stabilitet.

Kjo logjikë ka bërë që të krijohet një mospërputhje midis dimensioneve reale të fushës në të cilën shtrihen problemet dhe fushës së ngushtë të problemeve, të kufizuar me kufij shtetërorë, që gjendet në kokat e tyre. Ata nuk shohin se ekziston një çështje e pazgjidhur shqiptare përtej kufijve të Republikës së Kosovës me çka edhe e shfajësojnë Serbinë. Ndërkohë që përballen dhe janë të paafta ta zgjidhin një çështje serbe të veriut të Kosovës, me çka e veshin Kosovën me faj. Kjo konsekuencë ndaj parimit, ky qëndrim shkurtpamës, ky injorim i gjendjes në Kosovën Lindore, ka krijuar një situatë ku nën terrorin e vazhdueshëm serb, shqiptarët, çdo ditë e më tepër po ikin nga ato pjesë në qetësi e pa ndonjë bujë të madhe. Ndërkohë, Serbia çdo ditë e më tepër po i fut më thellë rrënjët në pjesën veriore të Kosovës, gjë që do të bëjë që për një kohë të shkurtër të krijohen realitete të reja të pakthyeshme dhe fatale për ne. Realitete që nënkuptojnë mbetjen e Kosovës pa lindjen dhe veriun e saj. Do ta sjellë situatën kur nuk do të ketë çështje të Kosovës Lindore, ndërsa do të ketë vazhdimisht çështje të serbëve në Kosovë dhe Kosovë të mbetur peng të kësaj çështjeje.

Në fund, vërtet nuk e kam të qartë për çfarë ruajtjeje të integritetit territorial këmbëngulet kaq shumë kur në tërë veriun e Kosovës (jo vetëm në tri komunat serbe për të cilat parashihet këmbimi) kontrollin e plotë e ka një shtet tjetër, Serbia, në kohën kur cenim i integritetit territorial konsiderohet edhe vetëm kalimi i paparalajmëruar nëpër hapësirën ajrore nga një fluturake e huaj që e ka humbur rrugën.

2) Dobishmëria

Formë diçka më elegante e refuzimit të idesë së ndryshimit të kufijve është përpjekja për ta trajtuar atë si të padobishme nga shumë aspekte: nga aspekti i sigurisë, i rrezikimit të balancit ballkanik, i humbjes së burimit të ujit, i reagimit negativ ndërkombëtar etj. Megjithatë, të gjithë këta faktorë e kanë pasuruar edhe më tepër fondin e argumenteve pro ndryshimit të kufijve. 

Siguria

Në Ballkan ekziston një mentalitet i veçantë. Përmendja e territoreve dhe kufijve automatikisht të sjell ndërmend luftërat, konfliktet, mosmarrëveshjet. Automatikisht ngjall dyshime, frikë, pasiguri. Dhe kjo është e natyrshme kur territoret dhe kufijtë shihen të pashkëputshme nga imponimet dhe mosrespektimi i vullnetit të njerëzve që jetojnë në ato territore dhe afër atyre kufijve. Përdorimi i çështjes së sigurisë nga lidershipi i Kosovës si argument kundër buron pikërisht nga ky mentalitet. Ata, pikërisht duke u frikësuar nga pasiguria, me qëndrimin e tyre e ushqejnë përditë atë. Ata, në emër të sigurisë,  përpiqen ta ruajnë një gjendje që përditë ka pasoja të rënda për jetën, shëndetin dhe sigurinë e njerëzve. Nuk e kuptoj se si mund të quhet siguri vrasja, dhuna fizike e psikologjike dhe spastrimi i vazhdueshëm që iu bëhet pjesëve të banuara me shqiptarë në Kosovën Lindore. Apo si mund të konsiderohet gjendje e sigurisë ajo në veri të Kosovës me gjithë ngjarjet e dhunshme të cilat ndodhin përditë atje. Ruajtja e kësaj gjendjeje është marrje nën mbrojtje e pasigurisë. Kjo çështje është në agjendë pikërisht për shkak të pasigurisë që prodhon, prandaj zgjidhja nuk qëndron në ruajtjen, por në ndryshimin e saj. Ajo që është në pyetje tash është se si duhet të ndryshohet ajo. Padyshim që zgjidhja ideale nuk do të ishte as shkëmbimi i territoreve. Edhe kjo, si ide, ngërthen në vete imponim të zgjidhjes, prandaj nuk garanton zgjidhje me kredibilitet të mjaftueshëm demokratik të problemit. Në këtë kontekst, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe pa deficite morale e demokratike do vinte nga përcaktimi i njerëzve që jetojnë në këto territore për fatin e tyre përmes shfrytëzimit të së drejtës së tyre për vetëvendosje deri në shkëputje.

Frika nga efekti domino

Aplikimi i parimit të vetëvendosjes për banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit, sipas të gjitha gjasave, do të çonte në ridefinimin e kufijve mbi baza etnike. Përkundër asaj që kundërshtarët e kësaj ideje i frikëson pikërisht ky fakt dhe cenimin e sigurisë e shohin pikërisht në zgjidhjen mbi këto baza (etnike) krahasimi i realiteteve të ndryshme në Ballkan dëshmon saktësisht të kundërtën. Të shohim se c

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›