E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska drita banoret bllokojne rruget

Është dashur ndërhyrja e forcave të ndërhyrjes së shpejtë për të hapur Autostradën e Kombit të bllokuar nga disa qindra banorë të fshatrave të Kukësit.

Në shenjë proteste për ndërprerjen e energjisë elektrike nga ana e CEZ, banorët e fshatrave Tërthore, Shtiqen e Bicaj, debitorë të energjisë elektrike, bllokuan aksin rrugor Kukës-Morinë.

Ata nuk kanë lejuar asnjë mjet që të lëvizë në rrugë. Kompania CEZ njoftoi se kishte ndërprerë energjinë për debitorët, por pasi banorët rrethuan nënstacionin elektrik, për të shmangur incidentet CEZ stakoi energjinë e për pasojë prej orës 19.00 edhe qyteti i Kukësit mbeti pa energji elektrike.

Banorët e tre fshatrave të Kukësit, gjatë protestës deklaruan se vetëm pasi të marrin dëmshpërblimin për tokat e përmbytura nga liqeni i Fierzës do të paguajnë energjinë elektrike.

Bllokohet superstrada edhe në Lezhë

Banorë të komunës Kolsh në Lezhë nisën të shtunën protestat për mungesën e energjisë elektrike. Kompania CEZ ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për këtë fshat.

Në krye të protestës ishte kryetari i kësaj komune, i cili deklaroi se kompania CEZ duhet të marrë masa dhe të lidhë energjine tek të gjitha familjet që e paguajnë, si dhe të bëjë ndërprerje individuale për familjet që nuk e paguajnë.

Banorët e fshatrave të kësaj komune në fillim protestuan para zyrave të filialit të kompanisë CEZ e më pas marshuan drejt superstradës Lezhë-Shkodër, duke e bllokuar atë.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke hapur kalimin e mjeteve, ndërsa turma është shpërndarë në mënyrë paqësore në fund. Por banorët premtuan se do të rikthehen sërish në protestë dhe në bllokimin e rrugës nëse energjia elektrike nuk rikthehet. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›