E Hënë, 2 Nëntor 2026

“S’ka pushim”, Rama publikon pamjet nga lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme

Lirimi i hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme po vijon në të gjithë territorin e vendit, si pjesë e një nisme kombëtare të nisur në korrik 2025.

Kryeministri Edi Rama publikoi të shtunën në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet aktuale, të cilat përfshijnë çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike.

“S’ka pushim jo, në çdo rrugë e lagje dhe deri në fund”, shkruan Rama, duke theksuar vendosmërinë për të çliruar zonat e zaptuara.

Aksioni sistematik i ‘Rilindjes Urbane 2.0‘

Kjo nismë është konceptuar si pjesë e operacionit të vazhdueshëm për rivendosjen e rendit urban. Ajo nuk është një aksion i përkohshëm, por një ndërhyrje sistematike me prioritet në gjithë vendin, me fokus të veçantë në zonat bregdetare dhe ato me rëndësi turistike.

Sipas Qeverisë, ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në mbështetje të këtij operacioni, autoritetet kanë vënë në dispozicion të qytetarëve portalin “Hapësiraimepublike.gov.al” për të denoncuar rastet abuzive të uzurpimit të hapësirave.

Deri më sot, në këtë portal janë raportuar gjithsej 13.931 raste. Nga këto, janë zgjidhur 10.356 raste, ndërsa 3.575 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›