S’ka rinumërim tjetër në Berat, KAS rrëzon kërkesën e LSI-së, vulos ndarjen e mandateve në këtë qark

KAS vendosi që të ndryshojë vendimin e Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për rezultatin zgjedhor në Qarkun e Beratit, por ky vendim nuk cenon numrin e mandateve për secilën parti.
Tabelat e rezultateve do të ndryshojnë sipas rezultati të ri që u përfitua nga rinumërimi i 114 kutive të votimit, nga 277 që ka në total Qarku i Beratit. Në përfundim të këtij rinumërimi Partia Socialiste humbi 20 vota, LSI u shtua me 15 dhe PD humbi po 15.
Rinumërimi ngushtoi diferencën mes mandatit të pestë të PS dhe mandatit të parë të LSI-së, por ishte i pamjaftueshëm për ta ndryshuar këtë rezultat.
KAS vendosi gjithashtu që të mos rinumërojë kutitë e tjera. U rrëzua edhe kërkesa e LSI-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në tre qendra votimi në Qarkun e Beratit. Ky vendim mund të apelohet nga palët ankimuese brenda pesë ditëve në Kolegjin Zgjedhor.