Skafi rrezikonte të fundosej në Spille, shpëtojnë 8 persona

Policia Kufitare ka ndërhyrë në kohë për t’u ardhur në ndihmë drejtuesit të një skafi dhe shtatë familjarëve të tij, pasi mjeti lundrues pësoi defekt në motor, u mbush me ujë dhe rrezikonte të fundosej në detin e Spillesë.
Mjeti lundrues ishte rreth një milje larg bregut, në drejtim të Forsilukut, kur kishte dhënë alarmin SOS për ndihmë.
Skafi kishte pësuar një defekt në motor dhe ishte mbushur me ujë dhe ndodhej në rrezik për t’u fundosur.
Policia ndërhyri për të garantuar sigurinë e personave në bord dhe tërhoqi skafin drejt bregut. Mjeti lundrues u nxor në tokë në zonën e Karpenit.
Të 8 personat që ndodheshin në skaf janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, nga verifikimet e kryera nga autoritetet rezultoi se skafi kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi i tij dispononte leje drejtimi.
/rtsh.al/