E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i qumështit të kontaminuar për bebe/ AKU gjobit “Rossmann & Lala”

Disa ditë pas alarmit se qumështi për fëmijë i prodhuar nga “Nestlé” rezultoi i kontaminuar me toksinën cereulide, Mbretëria e Bashkuar foli me shifra zyrtare.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se, 36 foshnja u sëmurën pasi konsumuan formulën e kontaminuar, ndërsa në Francë ka nisur hetimi për humbjen e jetës së dy foshnjave.

I njëjti produkt, i importuar nga “Rossmann & Lala”, është tregtuar edhe në Shqipëri, konkretisht në rrjetin e dyqaneve të këtij subjekti.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, sasia totale e qumështit të importuar është 1,878 copë, nga të cilat 462 copë janë rieksportuar në Republikën e Kosovës.

Në Shqipëri rezulton se janë bllokuar 836 kuti me qumësht .

Ndërsa sasia e qumështit të kontaminuar e shitur është 580 kuti, secila me peshë 800 gramë.

Ky alarm nga Bashkimi Evropian zbuloi një problematikë në subjektin “Rossmann & Lala” në Shqipëri.

Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).

Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si ushqimi për foshnja.

E thënë më thjesht, nëse një produkt rezulton i pasigurt (p.sh. i kontaminuar apo i skaduar), autoritetet nuk mund ta tërheqin shpejt nga tregu, sepse:

– Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar.

– Nuk dihet sa njësi janë shitur.

– Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.

Për shkak të këtyre shkeljeve, subjekti “Rossmann & Lala” është gjobitur nga AKU.

Ky rast rikthen në vëmendje se siguria ushqimore nuk është formalitet administrativ, por përgjegjësi direkte ndaj jetës dhe shëndetit të fëmijëve.

LEXO EDHE: Mafia e ushqimeve në Shqipëri, më e dëmshme se mafia e drogës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›