E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në Graçanicë, dokumentet lëshohen në gjuhën serbe

Prishtinë, 21 mars, NOA – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë reagoi sot publikisht për shkeljen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga zyrtarët e Komunës  së Graçanicës.

Sipas njoftimit të KMDLNj, në zyrat e këtij institucioni kanë ardhur qytetarë të komunës së Graçanicës, përkatësisht qytetarët e Lagjes NIC,  të cilët janë ankuar se zyrtarët e kësaj komune u lëshojnë dokumente vetëm në gjuhën serbe  me alfabetin cirilik. E njëjta procedurë ndiqet edhe për qytetarët e komuniteteve jo-serbe. Sipas KMDLNj-së banorët shqiptarë të kësaj lagjeje këtë e marrin si provokim.

KMDLNj shprehet se kjo është shkelje e hapur e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve  Ligji Nr. 02/L-37, saktësisht neni 7, 8 dhe 9 i Ligjit dhe Ligjin për Jodiskriminim  përkatësisht Ligji Nr. 2004/ 3.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve , përveç se garanton të drejtën e përdorimin të gjuhës në të gjitha fushat e komunikimit me qytetarë dhe obligon strukturat komunale që të themelojnë njësi të veçanta përkthimi.  KMDLNj, konstaton se një diskriminim i tillë është i papranueshëm dhe me këtë i bënë thirrje Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Komisionit të Gjuhëve që të ndërmerr masa për ndërprerjen e kësaj dukurie diskriminuese, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

Ndërkohë që e drejta për përdorimin dhe respektimin e gjuhës është e drejtë e garantuar jo vetëm me akte vendore por edhe ndërkombëtare.

KMDLNj, thërret për vëmendje që diskriminimi në përdorimin e gjuhëve të mos shndërrohet në dukuri institucionale.

a.k./NOA

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›