Skandali në Kolumbi, Obama premton hetim

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje për një hetim të plotë, tërësor dhe rigoroz, për skandalin e bërë publik së fundmi, sipas së cilit agjentë të shërbimit sekret në Kolumbi kishin lidhje me prostituta. " Ajo që ndodhi në Kolumbi po hetohet nga drejtori i shërbimit sekret, tha Obama i cili foli në Kartagjenë. Ai u kthye të hënën në mëngjes në Washington. “Nëse rezulton se disa nga këto akuza të publikuara nga mediat, janë të verteta, atëherë unë do të zemërohem së tepërmi – shtoi Obama. "Ne perfaqësojmë qytetarët amerikanë, dhe kur udhëtojme në nje tjetër vend, unë pres që të përfaqësoehmi në nivelet me të larta- tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, sipas së cilit, të tilla skandale, nuk perputhen me standartet me të larta.
Pak ditë më parë, Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara pezulloi nga puna 11 agjentë të dërguar në Kolumbi para udhëtimit të presidentit Barak Obama atje, pas akuzave se kanë pasur lidhje me prostitutat. Mësohet se sjellja e dyshuar ka ndodhur në hotelin e Kartagjenës, ku edhe po qëndronin agjentët sekretë. Pasi 11 anëtarë të shërbimit që ruajnë presidentin amerikan Barak Obama u larguan nga detyra, incidenti u përhap në publik dhe në ushtrinë amerikane - e cila ka publikuar lajmin se pesë zyrtarë të saj ishin në hotelin e njëjtë, bashkë me anëtarët e shërbimit sekret.
Shoqërimi me prostituta ka ndodhur kur ata ishin në detyrë për të siguruar udhëtimin e Obamas në Amerikën Jugore, në një hotel i cili planifikohej edhe për qëndrimin e presidentit. Ushtarët u dërguan më pas në selinë e ushtrisë amerikane në Kolumbi, ndërsa patën urdhër që të mos kontaktonin me ushtarët e tjerë. Megjithatë, Zëdhënësi i shërbimit sekret amerikane, Edwin Donovan konfirmoi zevendësimin e agjentëve dhe siguroi para mbërritjes së Obamës në Kolumbi, se sigurimi për presidentin nuk do të kishte asnjë mangësi.