Skandali te Onkologjiku, Koçiu: Ndëshkim ligjor dhe moral. Bardhi: Jep dorëheqjen!

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se ndaj mjekëve të përfshirë në skandalin e zbuluar në spitalin Onkologjik ka nisur hetim administrativ, krahas hetimit që ka nisur prokuroria. Ajo deklaroi se është kryer abuzim tejet i rëndë duke luajtur me jetën e të sëmurëve dhe duke kapërcyer çdo lloj norme profesionalizmi e njerëzore.
Koçiu theksoi se për të sanksionuar me ligj mjekët e infermierët të cilët abuzojnë me detyrën do bëhet amendim i ligjit të urdhrit të mjekut, për heqjen e licencës e të drejtës së ushtrimit të profesionit.
“Padiskutim që abuzimi i rëndë me detyrën i një grupi mjekësh, farmacistësh e stafi mjekësor që kanë luajtur me jetën e të sëmurëve duke kapërcyer çdo lloj norme profesionalizmi e norme njerëzore, është një akt sjellje që ka përgjigje; ndëshkimin ligjor, administrativ e moral. Të gjithë ata për të cilët Ministria e Shëndetësisë është nisur hetim administrativ krahas hetimit nga prokuroria, do mbajë në shpinë, pjesën e ligjit dhe moralin e turpit. Për këtë, për të sanksionuar edhe me ligj të gjithë ata mjekë, që abuzojnë me detyrën që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës do përballen me ndëshkime e sanksione që do i bëjmë prezent në Kuvend për të amenduar ligjin e urdhrit të mjekut, infermierit të cilëve do u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit në rast se do bëjnë sjellje amorale që cenojnë figurën e profesionistëve të shëndetësisë”, tha Koçiu.
Kjo e fundit deklaroi më tej se kritikat e qëndrimet që vërtiten sipas fatkeqësisë, po shfrytëzojnë momentin duke përmbysur zhvillimet që ka pësuar sistemi i shëndetësisë në Shqipëri.
“Kam lexuar e dëgjuar këto ditë çdo qëndrim e çdo zë, që vërtiten drejt fatkeqësisë, për ta shfrytëzuar i moment duke përmbysur çdo zhvillim në sektorin e shëndetësisë. Nuk mund të përbaltet çdokush që vazhdon punë me profesionalizëm të veçantë.
Shumëkush nga ne, që ka një eksperiencë të mirëfilltë sa i përket kujdesit shëndetësor në sistemin publik, kanë eksperienca të shëndetshme në spitalet tona”, tha ajo.
Por teksa ministrja mbante fjalën nga foktorja e Kuvendit, deputeti demorkat Gazment Bardhi kërkonte që ministrja të jepte dorëheqjen nga detyra.
/rtsh.al/