Skema Investimeve, grant 50% për sistemet moderne të ujitjes me pika në vreshta e pemëtore

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi se një nga masat kryesore të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, është mbështetja e fermerëve për instalimin e sistemit të ujitjes me pika, në vreshta dhe pemëtore.
Sipas saj, ky është një investim i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor dhe uljen e kostove operative.
“Në kuadër të kësaj mase fermerët përfitojnë një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore të investimit; mbështetja financiare nuk do të jetë më shumë se 250,000 lekë për hektar dhe masa zbatohet për sipërfaqe nga 1 ha deri në 10 ha, në pemëtore, agrume, ullishte dhe vreshta ekzistuese”, tha Denaj.
Ajo bëri të ditur se, përveç grantit, fermerët kanë në dispozicion një Kredi të Butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financim të plotë për investimin, pa vështirësi në sigurimin e garancive financiare.
Afati për aplikim pranë zyrave të AZHBR-së është deri më 30 shtator 2025, në kuadër të një pakete prej 9 masash mbështetëse që synojnë modernizimin e bujqësisë dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës bujqësore në Shqipëri.
/e.xh/a.f/