Skema Kombëtare 2025, Denaj: Risi financimi për mbarështimin e viçave, nga skema e naftës mbi 50 000 përfitues

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denja deklaroi se, qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm për të gjithë fermerët e blegtorët përcaktimin e kritereve bazë dhe masën e financimit për të gjithë sektorët që mbështeten nga fondi i programit dhe zhvillimit rural, e thënë ndryshe, Skema Kombëtare e Subvencioneve.
Në deklaratën për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Denaj tha se “Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, financon për gjedhët deri në 10.000 lekë për lopë ose mëshqerra, 5.000 lekë për viçat, në ferma jo më pak se 10 krerë”.
Gjithashtu theksoi ministrja, “për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 lekë/krerë; Për bletarinë 1000 lekë/koshere; Për perimet/luleshtrydhen/rrush tavoline në serra, masa e financimit është 200 000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha)”.
Denaj deklaroi se, është rritur një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku 50% e vlerës totale të faturës tatimore do të rimbursohet sërisht nga Skema Kombëtare e Mbështetjes.
“Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë në fokus të Skemës Kombëtare me 30.000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi. Fermat organike 100.000 lekë/vit dhe 200.000 lekë për çdo fermë të certifikuar. Certifikimi GLOBAL GAP 50% të vlerës totale të faturës tatimore. Ndërsa nga skema e naftës përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë. Do të jetë e njëjta masë financimi në çdo vit, por do të rrisim elementë të kontrollit duke rritur masën e kontrollit sipas një metodologjie të re të riskut, që të përfitojë fermeri i cili e meriton, është ai që e punon tokën”, u shpreh Denaj.
Ajo tha se, Skema e Subvencioneve i bashkohet Skemës së Investimeve që është miratuar vitin e kaluar dhe mbështet pesë sektorë, duke kontribuar në zgjerimin e financimit për fermerët dhe bujqësinë.
“Konkretisht, Skema e Subvencioneve 2025 konsiston në masa e financimit për të gjithë fermerët dhe blegtorët me një risi për të gjithë ata që mbarështojnë viça për majmëri”, tha Denaj, teksa solli në vëmendje se Skema e Mbështetjes 2024 solli risi mbështetjen 100% të fermerëve të bashkuar në një kontratë për prodhim dhe siguri ushqimore.
/r.e//a.f/