E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skema e Investimeve, Denaj: Fermerët përfitojnë deri në 50% grant të vlerës së investimit

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Fermerët që zotërojnë ferma bujqësore apo blegtorale kanë tashmë mundësinë të përfitojnë mbështetje financiare në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila synon të nxisë mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në sektorin bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur sot se kjo skemë ofron grante deri në 50% të vlerës së investimit, mbi bazën e faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për çdo subjekt përfitues.

Sipas ministres, ky program është hartuar për të ulur kostot dhe kohën e prodhimit, për të rritur efikasitetin dhe cilësinë e produkteve bujqësore, si dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e fermerëve në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Ajo theksoi gjithashtu se për ata që kanë nevojë për financim shtesë, është e mundur të kombinojnë grantin me një kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe të përfitojnë nga garancia sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit.

“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, deklaroi Denaj.

Afati për aplikim në këtë skemë është i hapur deri më 30 shtator 2025, duke u dhënë kohë të mjaftueshme fermerëve për të përgatitur dokumentacionin dhe për të planifikuar investimet e tyre.

Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›