E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema kombëtare/ Ministri Salla: Nga 50% në 100% pagesa për fermerët brenda këtij viti buxhetor

Ministri i Bujqësisë Andis Salla në fjalën e mbajtur në takimin me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor, mbi prioritetet dhe mbështetjen e parashikuar për vitin 2026, vuri theksin te paketa buxhetore prej 16.3 miliardë lekësh, e cila synon të forcojë sektorët e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agro-përpunimit dhe agroturizmit.

Salla theksoi rëndësinë e mbështetjes së fermerëve dhe sipërmarrësve për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale dhe sigurimin e ushqimit cilësor për qytetarët.

Ministri Salla bëri të ditur se për fermerët që deri më tani kanë përfituar deri në 50% të mbështetjes, është parashikuar në aktin normativ shlyerja e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon.

Ai theksoi se sektori bujqësor përballet me sfida të shumta, por shtoi se bujqësia shqiptare gëzon sot më shumë mbështetje institucionale se në vitet e mëparshme.

“Për fermerët që deri më sot janë paguar deri më 50% kemi parashikuar në aktin normativ, shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këitj viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon. Ky sektor përballet nga sfida më të ndryshmet. Megjithatë është fat që bujqësia shqiptare ka më shumë mbështeje se disa vite më parë”, deklaroi Salla.

Buxheti i ri parashikon gjithashtu mbështetje për pensionin rural dhe programet e trajnimit të fermerëve, të zhvilluara në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e praktikave në sektor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›