Skenarët për projektbuxhetin; nëse opozita destabilizon seancën, PS mund ta kalojë edhe pa diskutime

Të hënën e 20 nëntorit parlamenti do të mblidhet për të votuar në parim projektligjin më të rëndësishëm, atë për buxhetin e 2024-ës.
Në kushtet kur opozita është e vendosur për të mos lejuar zhvillimin normal të asnjë seance parlamentare, edhe kur bëhet fjalë për buxhetin, shumica socialiste është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë.
Burime për Vizion Plus thonë se skenari i parë dhe më i thjeshtë është ai i votimit të projek-buxhetit pa asnjë diskutim, si asnjëherë më parë.
Në rastin kur aksioni i opozitës do të pamundësojë edhe procesin e votimit, skenari i dytë është që seanca parlamentare të mbyllet dhe të rimblidhet të nesermën, të martën e 21 nëntorit, për aq kohë sa diskutimet për projektbuxhetin janë parashikuar të zgjasin dy ditë.
Në kushtet kur nuk dihet ende se cila do të jetë forma që këtë herë opozita do të përpiqet “të bllokojë” parlamentin, burimet thanë se vendimarrja do të bëhet aty për aty, pra vendimet e socialistëve do të jetë në varësi të aksionit të deputetëve demokratë, mbështetës të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit.
Dalja nga ngërçi që mund të prodhojë kaosi, siç ai seancave të fundit nuk përjashton si zgjidhje zhvillimin e saj online.
Do t’i mbetet të hënës nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm që deri më tani ka munguar në çdo seancë ku opozita e akuzon se ai po i mohon të drejtat kushtetuese.
Njoftim për mospjesëmarrje të Edi Ramës nuk ka.
Mbetet për t’u parë se çfarë “shfaqje” do të prodhojë parlamenti të hënën ku një gjë është e sigurtë, “paqe” nuk do të ketë.