E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënder Hita: Arrestimet në Sarandë tregojnë se tradhtia e detyrës nuk tolerohet, reagimi ynë është i menjëhershëm dhe pa kompromis

Pas skandalit të “CopaCabana”, një ‘beach bar’ pa leje që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të policisë së Sarandës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, së bashku me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtues të tjerë institucionalë, mbërriti në qytetin bregdetar për të dhënë një mesazh të qartë mbi përgjegjësinë e uniformës blu dhe rolin e institucioneve ligjzbatuese.

Hita e nisi fjalën e tij duke theksuar misionin e Policisë së Shtetit, qw sipas tij,  “Policia e Shtetit është një organizatë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të qytetarëve dhe në shërbim të tyre. Ky është misioni ynë dhe mbi këtë mision ndërtohet besimi që qytetarët duhet të kenë te uniforma e Policisë së Shtetit.” 

Ai u shpreh i vendosur se askush nuk është mbi ligjin dhe se uniforma nuk mund të përdoret si mburojë për shkelje. 

 “Sot nuk jemi këtu vetëm për të folur për një rast paligjshmërie. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë.” 

Drejtori i Përgjithshëm shprehu keqardhje për arrestimet e drejtuesve dhe punonjësve të policisë në Sarandë, duke e cilësuar të papranueshme që një punonjës policie të bëhet palë me shkelësit e ligjit. 

 “Është e papranueshme për integritetin e Policisë së Shtetit. Është e papranueshme për mua, si Drejtor i Përgjithshëm, që një punonjës policie të bëhet palë me shkelësit e ligjit. Kushdo që mban uniformën duhet të jetë në anën e ligjit dhe të qytetarëve, jo në anën e paligjshmërisë.” 

Hita theksoi se devijimi nga ligji dëmton besimin e qytetarëve te shteti dhe drejtësia, ndaj reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe pa kompromis. 

“Kur një punonjës policie devijon nga ligji, nuk dëmtohet vetëm institucioni, por cenohet besimi i qytetarëve te shteti dhe te drejtësia. Reagimi ynë duhet të jetë i fortë dhe pa asnjë kompromis.” 

Ai sqaroi se veprimet e disa individëve nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit, e cila mbetet e vendosur për të goditur ndërtimet pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër. 

Në vijim, Hita kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve si IMT, IKMT, Policia Bashkiake dhe pushteti vendor, duke theksuar se parandalimi i ndërtimeve pa leje nuk është vetëm detyrë e policisë. 

 “Ky është një proces që kërkon bashkëpunim dhe koordinim të përhershëm institucional. Cilido institucion që konstaton paligjshmëri duhet të veprojë menjëherë dhe në koordinim me aktorët e tjerë, pa tolerim apo zvarritje.” 

Ai paralajmëroi se ndërtimet pa leje dëmtojnë imazhin e qytetit dhe të ardhmen turistike të Sarandës, duke e cilësuar reagimin e përbashkët si jetik në prag të sezonit turistik. 

 “Ndërtimet pa leje dëmtojnë imazhin e qytetit, cenojnë zhvillimin urban dhe mbi të gjitha dëmtojnë të ardhmen turistike të Sarandës. Reagimi ynë duhet të jetë i përbashkët dhe i vendosur.” 

Hita shtoi se Policia e Shtetit do të jetë në terren me tolerancë zero ndaj paligjshmërisë, por kërkoi që edhe drejtësia të jetë e fortë dhe e vendosur ndaj çdo shkelësi. 

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast paligjshmërie dhe siguroi se çdo punonjës policie që tradhton detyrën do të largohet nga radhët e policisë dhe do të përballet me drejtësinë. 

 “Nuk do të toleroj askënd që tradhton detyrën. Policia e Shtetit do të pastrohet nga çdo individ që cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve. Qytetarët kanë nevojë të besojnë te Policia e Shtetit dhe ky besim fitohet me veprime, me ndershmëri dhe me rezultate konkrete.” 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›