E Enjte, 5 Nëntor 2026

Skualifikohen nga gara katër kandidatë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit (emrat)

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi sot se katër kandidatë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë skualifikuar nga gara.

Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ministri Hoxha tha se, “aktualisht në dijeninë time janë skualifikuar katër kandidatë dhe procedura e përzgjedhjes do të vijojë në ditët në vijim”.

“I është dërguar institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve Komisioni do të vlerësojë kandidatin dhe më vonë do të vijojë intervistimin”, theksoi Hoxha.

“Brenda kësaj jave ministri i Brendshëm do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin, i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë garë”, tha Hoxha

Ministri Hoxha shpjegoi më herët mënyrën e përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

Burime nga Ministria e Brendshme bënë të ditur për ATSH-në se kandidatët e skualifikuar janë: Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha dhe Hajrulla Xhivini.

“Sikurse jeni në dijeni, ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” i hapi rrugë mundësisë për të përzgjedhur, nëpërmjet konkurrimit dhe meritokracisë, të drejtuesit të kësaj organizate kaq të rëndësishme”, tha ai.

Ministri sqaroi se, pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, është miratuar Udhëzimi nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, ku përcaktohen në mënyrë të detajuar të gjitha hapat e procesit për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Në vijim të këtij Udhëzimi, Ministria e Brendshme shpalli Thirrjen për Aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, tha Hoxha.

Në përfundim të afatit ligjor, rezultuan 15 aplikantë që kishin shprehur interes, theksoi ai.

Hoxha u shpreh se, siç e përcakton Udhëzimi, brenda 10 ditëve pune (duke filluar nga data 19 shtator 2024, pas përfundimit të afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit), Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

“Komisioni përbëhet nga një zv/ministër, Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë dokumentacionin e vënë në dispozicion nga kandidatët, vlerësimin e integritetit, kontrollin e figurës, prezantimin e platformës dhe informacion tjetër, duke bashkëpunuar dhe ndërvepruar me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

Komisioni organizon gjithashtu seanca dëgjimore me kandidatët e kualifikuar, seanca ku janë ftuar për t’i ndjekur edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që asistojnë Policinë e Shtetit”, tha Hoxha.

Në fund të këtij procesi, shtoi ministri, brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve.

“Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë. Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në profesion dhe përvojës profesionale.

Në përfundim të renditjes, Ministri i propozon Kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi shoqërohet me një relacion, i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan, si dhe arsyet për kandidatin e propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, theksoi Hoxha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›