E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovakia dhe Greqia përshëndesin marrëveshjen Kosovë-Serbi

Dy shtetet e Bashkimit Evropian, Greqia dhe Sllovakia, që bëjnë pjesë në grupin e pesë vendeve anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomatët e Athinës dhe Bratislavës, megjithatë nuk kanë sinjalizuar ndonjë ndryshim në qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Sllovak dhe Ministri i Punëve të Jashtme Miroslav Lajcak ka mirëpritur marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Nuk dua ta fshehë faktin se lajmi nga Brukseli më gëzoi pa masë, pavarësisht se unë gjithnjë kam besuar se tavolina e negociatave është i vetmi vend ku mund të zgjidhet ky problem. Siç e kam thënë edhe në të kaluarën vetëm dialogu, marrëveshjet dhe implementimi i tyre mund të lënë anash problemet e së kaluarës dhe të ndihmojnë që të fokusohemi në të ardhmen. Besoj fortë se kjo marrëveshje është një impuls i rëndësishëm për stabilizimin e mëtejmë të rajonit, ka thënë Lajcak.

Po ashtu fjalë të mira për marrëveshjen ka thënë edhe Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopoulos i cili ka thënë se ky zhvillim pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, riafirmon vullnetit politik të dyja palëve për të zgjidhur çështjen e pazgjidhura në të mirë të popujve të tyre të cilat tani mund të shikojnë më me shumë optimizëm integrimin në familjen evropiane

Kjo marrëveshje riafirmon dedikimin e lidershipit të tyre ndaj perspektivës evropiane të cilën Greqia e mbështet fuqishëm. Implementimi i plotë i marrëveshjes do të jetë një hap i madh drejt konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në tërë Evropën ka thënë Avramopoulos.

Është çështje parimore për Greqinë që çështjet e pazgjidhura në Evropën Juglindore të trajtohen nëpërmjet diplomacisë dhe dialogut duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe me synimin që të arrihet marrëveshje e qëndrueshme dhe e pranuar nga të dyja palët. Këto çështje nuk mund të mbeten të pazgjidhura pafundësisht e as nuk mund të sillen në Bashkimin Evropian të pazgjidhura ka thënë ai.

Greqia dhe Sllovakia janë dy nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›