Sllovakia i jep Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300

Sllovakia i ka dhuruar Ukrainës sistemin e saj të mbrojtjes ajrore S-300 për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër agresionit rus, tha të premten kryeministri Eduard Heger raporton Reuters.
Ukraina u ka bërë thirrje vendeve perëndimore për pajisje të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar në zmbrapsjen e një sulmi ushtarak rus tani në muajin e dytë.
“Unë mund të konfirmoj se Sllovakia i dhuroi Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 bazuar në kërkesën e saj për të ndihmuar në vetëmbrojtje për shkak të agresionit të armatosur nga Federata Ruse,” tha Heger në një deklaratë të dërguar me email.
Heger, i cili po vizitonte Kievin të premten, tha gjithashtu se vetë mbrojtja e Sllovakisë ishte e siguruar.
Sllovakia, anëtare e NATO-s, ka përdorur një bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore S-300, të cilën e trashëgoi pas shpërbërjes së Çekosllovakisë në 1993.