“Smart City” në 20 shkolla në Tiranë, Koçiu: Më shumë siguri për nxënësit

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi shkollën “Kongresi i Manastirit”, një prej 20 shkollave në Tiranë ku ka nisur pilotimi i projektit “Smart City”.
Gjatë vizitës, Koçiu bëri të ditur se në ambientet e përbashkëta të shkollës dhe në perimetrin e jashtëm të shkollës janë instaluar 30 kamera inteligjente, me synim rritjen e sigurisë për rreth 1400 nxënësit dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
“Teknologjia e re, përmes inteligjencës artificiale, do të na ndihmojë të parandalojmë fenomenet e padëshiruara, të reagojmë më shpejt dhe t’i kthejmë shkollat tona në hapësira të sigurta, ku fëmijët rriten, mësojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Koçiu.
Ajo theksoi se kjo nismë nuk ka asgjë të përbashkët me shkeljen e privatësisë të të dhënave personale, por vetëm me sigurinë dhe qetësinë e fëmijëve.
Projekti “Smart City” synon përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e reagimit ndaj situatave të ndryshme në hapësirat publike dhe institucionet arsimore.
/e.xh/r.e/