Snowden: Unë i zbulova programet e spiunimit
Gazeta britanike The Guardian dhe gazeta amerikane The Washington Post kanë identifikuar një punonjës kontraktor të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare si burimi i informacioneve sekrete të publikuara në shtyp, që zbuluan se kjo agjenci qeveritare mbledh tabulatet e telefonatave të amerikanëve.
29 vjeçari Edward Snowden ka theksuar se u kishte hapur dritën e gjelbër gazetave The Guardian dhe Washington Post të bënin të ditur identitetin e tij. Ai tha se nuk ka në plan të fshihet pasi beson se nuk ka bërë asnjë shkelje.
Edward Snowden, i cili muajin e kaluar u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe tani strehohet në Hong Kong, thotë se e ka të qartë që do e ndëshkojnë për atë që bëri. Por ai tha se është i gatshëm të sakrifikojë jetën e tij të rehatshme për të nxjerrë në dritë të vërtetën për atë që e cilëson si një makineri masive përgjimi që po ndërtojnë Shtetet e Bashkuara.
Ai tha për gazetën The Washington Post se ka në plan të kërkojë strehim politik në çdo vend që beson në lirinë e fjalës dhe privacinë globale.