Socialistët e Bulqizës, Ramës: Je legen. Rama: Legena jeni vetë
Prezantimi i Shkëlqim Canit në Bulqizë është shndërruar në një betejë të vërtetë mes socialistëve vendas dhe kryetarit Edi Rama, që shihet si uzurpator i partisë. 500-600 socialistë të Bulqizës i kanë thirrur Ramës “ti je legen”, ndërkohë që s’kanë lejuar Canin që të flasë, duke brohoritur për kandidatin lokal, Ardit Kaja. Edi Rama e ka parë se PS i ka dalë nga kontrolli, dhe e ka lënë fare fjalimin, duke sharë me zhargonin prej spurdhjaku “legena jeni vetë”, çka mund të klasifikohet si shkëputje e çfarëdolloj marrëdhënieje me degën socialiste vendore
-- Edi Ramës i del Partia Socialiste nga kontrolli. Në këto kushte, për rivënien e saj nën kontroll, ai i është kthyer zhargonit të tij, fyes ndaj anëtarësisë së PS-së.
Incidenti më i fundit, i djeshëm në Bulqizë, ndërsa e ka zhvlerësuar takimin e tij me anëtarësinë e kësaj partie, për prezantimin e kandidatit për deputet Shkëlqim Cani, nga ana tjetër ka demonstruar se edhe reaksioni i socialistëve të Kukësit, nuk ka qenë i rastësishëm.
Më e fundit sjellje e tillë, agresive ndaj anëtarësisë së PS-së, prej kryesocialsitit Edi Rama, është përsëritur dje në Bulqizë. Prezantimi i Shkëlqim Canit në Bulqizë, rreth orës 18.00 të mbrëmjes së djeshme, është shndërruar në një betejë të vërtetë mes socialistëve vendas dhe kryetarit Edi Rama, që shihet si uzurpator i partisë.
Rreth 500-600 socialistë të Bulqizës i kanë thirrur Ramës “ti je legen”, ndërkohë që s’kanë lejuar Canin që të flasë, duke brohoritur për kandidatin lokal, Ardit Kaja.
Në këto rrethana, Edi Rama ka tentuar të ndërhyjë vetë të qetësuar situatën, ndërsa simpatizantët e PS-së, për disa minuta rresht kanë vazhduar të thërrasin në kor emrin e Ardit Kajës dhe të fishkëllejnë kur fliste Shkëlqim Cani.
Në momentin e ndërhyrjes kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar që fishkëllimat dhe ndërhyrje të tilla të bëheshin për kreun e mazhorancës Sali Berisha. Kryetari Rama teksa u ka kërkuar simpatizantëve të largohen nga salla ku po zhvillohej takimi i është drejtuar me fjalët: “Bërtisni te mitingu i Berishës dhe jo tek i PS-së”.
Reagimi i Edi Ramës, ka ndezur edhe më shumë reaksionin e anëtarësisë socialiste të Bulqizës, të cilët për rreth 10 minuta nuk lejuan ndërhyrjen e Edi Ramës dhe ligjërimin e Shkëlqim Canit.
Edi Rama e ka parë se PS i ka dalë nga kontrolli, dhe e ka lënë fare fjalimin, duke sharë me zhargonin prej spurdhjaku: “legena jeni vetë”, çka mund të klasifikohet si shkëputje e çfarëdolloj marrëdhënieje me degën socialiste vendore
Pas kësaj, rreth gjysma e simpatizantëve kanë dalë jashtë, ndërkohë që aktiviteti ka rinisur sërish ku fjalën e ka marrë kryesocialisti Edi Rama. Gjatë fjalimit të tij Rama ka deklaruar se Ardit Kaja nuk do të jetë kandidat për deputet i PS-së.
Ardit Kaja është ish-sekretar i qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste dhe nuk ka qenë i ftuar në këtë takim. I kontaktuar nga mediat Ardit Kaja tha se nuk kishte informacion mbi detajet, por sipas tij salla prej qindra personash, ka brohoritur në kor emrin e tij.
Incidentin në Bulqizë e konfirmuan dje edhe burimeve pranë kryetarit të Partisë Socialiste, të cilat ndërsa u munduan ta minimizonin reagimin e anëtarësisë socialiste të këtij qytetit, pranuan se incidenti zgjati disa minuta.