Sofia Moreira de Sousa nis misionin në Tiranë: Krenare që jam Ambasadore e re e BE-së në Shqipëri

Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka marrë zyrtarisht detyrën, duke e nisur misionin e saj diplomatik me një videomesazh përshëndetës të publikuar në rrjetet sociale.
Përmes postimit në rrjetet sociale, kryediplomatja e BE-së shprehu entuziazmin për marrjen e kësaj detyre dhe ripërsëriti përkushtimin e bllokut për procesin e integrimit të vendit. “Mirë se të gjeta Shqipëri! Krenare që nis misionin tim si Ambasadore e re e BE-së në Shqipëri.”, deklaroi de Sousa gjatë mesazhit të saj.
Lidhur me prioritetet e mandatit të saj në Tiranë, diplomatja theksoi se “mbështetja e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian do të jetë në qendër të misionit tim dhe mezi pres të punoj me të gjithë ju për arritjen e këtij qëllimi”.
/rtsh.al/