Son, lamtumirë Tottenhamit pas 10 vitesh?

Turneu i Tottenhamit në Korenë e Jugut po del si një faktor kyç në të ardhmen e kapitenit Heung-min Son, i cili ka qenë subjekt i interesit nga Arabia Saudite. E ardhmja e 32-vjeçarit te Spurs është e pasigurt, me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, dhe një numër klubesh nga Lindja e Mesme po shqyrtojnë mundësinë për të përfituar nga situata dhe për të rrëmbyer një nga yjet më të nënvlerësuar të kontinentit.
Megjithatë, sipas BBC-së, çdo lamtumirë e mundshme për Son ndoshta do të shtyhet deri në fund të turneut aziatik, pasi mungesa e tij mund të krijojë ndërlikime me organizatorët, me të cilët klubi duhet ta mbajë fjalën e dhënë. Klubi ka planifikuar dy ndeshje miqësore: kundër Arsenalit më 31 korrik në Hong Kong dhe kundër Neëcastle në Seul tre ditë më vonë. Kjo për shkak se ish-lojtari i Bayer Leverkusen është një idhull i padiskutueshëm në vendin e tij dhe tifozët vendas mezi presin mbërritjen e tij me Tottenhamin.
Duke hyrë në detajet e shitjes së mundshme të Son, klubi i Premier League do të shqyrtonte vetëm një ofertë dukshëm më të lartë se vlerësimi i tij aktual. Deri më tani, sipas mediave angleze, nuk ka mbërritur asnjë propozim zyrtar, por ndjesia, edhe pas nënshkrimit përfundimtar të Tel dhe interesit masiv për Mbeumo, është se fati i sulmuesit të Koresë së Jugut do të sqarohet drejt fazave të fundit të tregut, që përkon me ditën e parë të shtatorit.
Gjatë dhjetë viteve, Son ka shënuar 173 gola në 454 paraqitje, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të epokës së Premier League të Tottenham dhe emri i tij është i shenjtë te Spurs.