Sondazhi: Koalicioni i majtë i fiton zgjedhjet me 46%
IPR marketing publikon pyetësorin e parë në shkallë republike. PD del parti e parë, PS e dyta
Koalicioni i majtë i fiton zgjedhjet nëse votimet do të mbaheshin në 2 maj. Ky është sondazhi i IPR marketing i publikuar dje në Ora News. Koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane rezulton të marrë 46% të votave, ndërsa koalicioni i djathtë Aleanca për Mirëqenie Punësim dhe Integrim mund të marrë 44% të votave. Ndërkohë që LSI-ja rezulton se është 5.5% të votave. Nga kampi i djathtë partitë aleate të PD-së nuk marrin as 1 për qind të votave. Pra diferenca e votave është 2 për qind mes dy koalicioneve. Ndërkohë që 20% e të intervistuarve shprehin se nuk do të votojnë. Ndërsa dy partitë e tjera që do të dalin të vetëm në zgjedhje, pra Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuqezi, sipas të intervistuarve do të marrin nga 4.8% të votave. PD rezulton se është më e votuar si subjekt në krahasim me PS-në, me një diferencë prej 1 për qind. Sipas sondazhit, 45.6% e të intervistuarve mendojnë se zgjedhjet i fiton koalicioni i majtë. Ndërsa pyetjes se si e shikoni punën e bërë deri më tani të kreut të PS-së, Edi Rama, 31.5% e shohin pozitivisht; 37.2% negativisht, 21.2% as pozitivisht dhe as negativisht dhe 10.2% shprehen se nuk e dinë. Pyetjes se si e vlerësoni punën e qeverisë deri tani në politikat ekonomike shqiptare i janë përgjigjur: Pozitivisht 33,9%; Negativisht 48,2%; As pozitive as negative 14.1%; Nuk e di 3.8%. Sipas këtij sondazhi të kryer nga kompania italiane nga 1 mijë të intervistuarit mendojnë se 48.5% e tyre jetojnë keq, ndërsa më mirë janë vetëm 20.5% e të intervistuarve. Ndërkohë që 50.6% e të intervistuarve mendojnë se jetojnë më keq në krahasim se katër vite më parë. Ndërsa 20.3% e tyre jetojnë më mirë sesa katër vite më parë. Ndërkohë që nga të intervistuarit problem serioz përbën papunësia. Këtë shqetësim e kanë shprehur 65.5% e të intervistuarve. Ndërsa korrupsioni është problemi vetëm për 33.2% e të intervistuarve, pra është në vend të dytë të shqetësimit. Në vend të tretë rreshtohet kriza ekonomike, pagat dhe pensionet e ulëta. Sipas sondazhit 65% e të intervistuarve janë pro bashkimit me Kosovën, dhe 29.1 % kundër, porse pjesa më e madhe janë pro bashkimit ekonomik dhe doganor mes dy vendeve, ndërsa 27.1% janë për një shtet federativ. Pyetjes se sa e rëndësishme është për ju që Shqipëria të jetë pjesë e BE, shqiptarët i janë përgjigjur: Shumë e rëndësishme 51.8%; E rëndësishme 32.1%; Pak e rëndësishme 10.5%; Aspak e rëndësishme 4.2%; Nuk e di 1.4%. IPR marketing ka kryer këtë sondazh nga 27 deri në 30 prill, për 1 mijë persona që përfshijnë 12 qarqet e vendit. Do të ketë edhe një tjetër gjatë muajit maj, dhe dy të tjerë në qershor, si dhe nga 4 Exit Poll rajonale dhe një Exit Poll kombëtar në ditën e votimit, në 23 qershor.
Tabela e sondazhit
Nëse zgjedhjet bëhen me dy muaj kush do ti fitojë zgjedhjet
Koalicioni i majtë 46%
PS 36%
LSI 5,5%
PBDNJ 1%
PSD 1%
G99 0,5%
PDS 0,5%
Koalicioni i djathtë 44%
PD 37%
PR 1,5%
PDIU 1,5%
PAA 1%
LZHK 0,5%
FRD 4,8%
AK 4,8%
Sondazhi: Koalicioni i majtë i fiton zgjedhjet me 46% burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email