Sot 3 vite nga nisja e luftës në Ukrainë, çfarë ndodhi në 24 shkurt 2022

Si sot tre vite më parë, në 24 shkurt 2022, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, çka shënoi edhe nisjen e një beteje të gjatë e të lodhshme.
Por pushtimi rus nuk kishte suksesin që priste, pasi Kievi nuk ra brenda 48 orëve siç premtoi Presidenti Vladimir Putin, por as pas 3 viteve.
Forcat ruse bombarduan kryeqytetin ukrainas me avionë e dronë, por nuk arritën të nënshtronin vullnetin e hekurt të vendasve për të mbrojtur me çdo kusht atdheun e tyre.
Tashmë, pjesa më e madhe e luftimeve është zhvendosur në lindje pas avancimeve të dështuara ruse në Ukrainën qendrore. Ukrainasit po fokusohen në rimarrjen e disa zonave kyçe më afër kufirit rus, teksa Moska po mban nën kontroll rreth 1/5 e fqinjit të saj perëndimor.
Lufta në ukrainë ka sjellë vdekjen e mijëra ushtarëve dhe civilëve. Përllogaritet që në radhët e rusëve të kenë humbur jetën mbi 500 mijë ushtarë.
Kohët e fundit, me ardhjen në pushtet të Presidentit Donald Trump në SHBA, po flitet për një marrëveshje të mundshme paqeje, të cilën ai e ka premtuar shpesh edhe gjatë fushatës elektorale.
Por gjithësesi palët duken shumë të ndara në pretendimet e tyre dhe është ende herët të flitet për diçka konkrete.