Sot Kuvendi voton për mandatin, Xhaçka: Turp, emri im është gjuajtur si top lecke

Deputeja Olta Xhaçka mbajti fjalën në Kuvend, ku foli për mandatin e saj si deputete.
Sot në kuvend do të votohet nëse çështja për mandatin e deputetes Olta Xhaçka do të shyrtohet ose jo në Gjykatën Kushtetuese. Xhaçka tha se ndaj emrit të saj janë hedhur shumë shpifje dhe gënjeshtra.
Xhaçka thotë me siguri se nuk ka ushtruar influencën e saj për te përfituar asgjë nga ato qe janë bere fakte te kryera si përfitime, e as nuk ka përfituar asgjë prej tyre, sepse jane thjesht të pavërteta.
Xhaçka tha se akuzat që bëhen kundrejt saj dhe bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist Artan Gaçi janë shpifje. Ajo sqaroi se bashkëshorti i saj ka qenë sipërmarrës që para se të zgjidhej deputet dhe iu rikthye punës së tij private pasi la mandatin e deputetit.
Olta Xhaçka:U bë një kohë e gjatë, që emri im lidhet me paligjshmëri e abuzim me mandatin e deputetes. Prej kohësh tanimë zhvillohen ndaj meje gjyqe prokuroresh dhe gjykatësish pa liçence drejtësie këtu, ne ekrane a ne portale, po me licencë lirie për t’u shfrenuar, akuzuar, dënuar dhe qëlluar me te gjithë fuqinë e urrejtjes, mllefit apo thjesht, bindjes se verbër se ku ka një ze ka edhe nje gjë, ku ka një ministër ka edhe nje afere, per t’ia marre tjetrit fytyren, nëpërkëmbur dinjitetin, shkatërruar reputacionin publik.
Nuk jam përgjigjur, jam menduar. Te rri ne këtë detyre apo te iki. Te vazhdoj te merrem me politike apo te dorëzoj mandatin dhe te shpëtoj nga ky linçim, ku faktet janë orekse politike, provat janë interesa mediatike, gjykimet mbi te vërteten e një individi me përgjegjësi, janë paragjykime mbi ngjyrën politike te një personi publik.
Jam menduar ku kam gabuar, për te mbajtur mbi kurriz gjithë kete furi balte. Një gjë di ta them me siguri, as kam ushtruar influencën time për te përfituar asgjë nga ato qe janë bere fakte te kryera si përfitime, as ne fakt nuk kam përfituar asgjë prej tyre, sepse jane thjesht te pavërteta.
Dhe sot, si për t’i vene kapakun nje talljeje te madhe me opinionin publik, ku emri im është gjuajtur, pasuar, dribluar si top lecke, diskutohen këtu nga leckat e topit te opozitës, sikur po votohet per te me mbajtur neper këmbë apo lëshuar nga këmba, ndërkohë qe ne fakt sot Kuvendi s’ka cfare voton fare per mua personalisht. Sepse çështjen time Gjykata Kushtetuese e ka pasur, i ka vajtur nga 1/5 e deputeteve ketu siç parashikon kushtetuta, e ka shqyrtuar dhe me vendim e ka pushuar. Jo, sot ketu duhet te votohet per diçka krejt tjetër, qe ne fakt është shkalla e sovranitetit te parlamentit dhe liria e votes se cdo deputeti.
Por gjithsesi, meqë tek ky absurditet i kthyer ne një debat dhe tek ky debat i kthyer ne nje pike te rendit te dites se Kuvendit, u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje, e meqë vendimi i sotëm lidhet prapëseprapë me mandatin tim, megjithëse per mandatin tim Gjykata Kushtetuese eshte shprehur njehere, unë nuk do të komentoj me tej për këtë, kolegët le të diskutojnë e të vendosin me voten e tyre.
Po ama une nuk mund te hesht sot për fajësinë qe me është dhënë nga gjykatat e shkalles zero ne këtë parlament, ne tribunat e opozitave te shqepura me qysqi, ne ekranet e akuzave te qepura me porosi dhe ne portalet e gjobave te vena me babëzi. Sigurisht, s’me ben te flas sot ndonjë shpresë që te lartpërmendurit do ndryshojnë mendim, se sjellje jo e jo, po me detyron te mos hesht nevoja qe te dëgjohet edhe zëri im, ne radhe te pare nga ata qe me kane votuar për te pasur privilegjin e kësaj foltoreje dhe sigurisht edhe kushdo tjetër qe ka interes te dëgjoje se si është tallur deri tani nga akuzuesit e përbaltësit e mi. Se pari, askush s’do të gjejë qoftë edhe një rast të vetëm, një fjalim, intervistë, postim, fjali apo fjalë të dalë nga goja apo dora ime, jo kundër organeve të drejtësisë, po as me ndonjë pikëpyetje per misionin, detyrën, punën e tyre. Që në janar 2023, çështja ime u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese, në themel, për më shumë se 8 orë, duke administruar provat e faktet konkrete, ato realet jo ato të gjyqeve në ekranet politike dhe mediatike, të atyre që si inkuizitorët e mesjetës, me gojët plot jargë nga preja e radhës, ndezin sharlatanët politikë e mediatikë.
Pasi shqyrtoi më shumë se 500 faqe prova e materiale nga praktika gjyqësore e vetë Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, vendosi ta pushoje këtë çështje absurde. Së dyti, e gjithë kjo zallamahi ku jam bërë unë mishi për top dhe ku flitet sikur është bërë ndonjë krim i padëgjuar, në fakt ka shkak vetëm njërën ndër 1500 lejet e dhëna për përdorimin e plazhit nga subjekte turistike qe operojnë ne bregdetin e Shqipërisë, nga Velipoja deri ne Ksamil.