E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sot Turqit zgjedhin mes Erdoganit dhe Kilicdaroglut

Në Turqi, sot, mbahet raundi i balotazhit në zgjedhjet presidenciale.

Mbi 60 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhim midis presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe kandidatit të koalicionit opozitar, Kemal Kilicdaroglu.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe do të mbyllen në orën 17:00. Rezultatet e para jozyrtare të raundit të balotazhit pritet të dalin mbrëmjen e kesaj te dielë.

Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.

Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet në rundin e parë.

Një ditë para balotazhit, Erdogan u bëri thirrje turqve që të dalin në votime, teksa Kilicaroglu bëri thirrje që shteti të largohej “nga errësira” që sipas tij është futur gjatë qeverisjes dydekadëshe të Erdoganit.

Opozita i ka parë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, si mundësinë më të mirë për të rrëzuar nga pushteti Erdoganin dhe për të hequr dorë nga ndryshimet që presidenti turk ka bërë në shtet.

Dy kandidatët kanë përqendruar fushatën për balotazh në përpjekjet për të bindur rreth 8 milionë votues, që nuk votuan në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 14 majit, përveç zgjedhjeve presidenciale, u mbajtën edhe ato parlamentare, dhe partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) fitoi shumicën parlamentare.

Zgjedhjet presidenciale turke jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.

Një fitore për Erdoganin do të mundësonte vazhdimin e qeverisjes së këtij lideri që ka transformuar Turqinë, duke riformuar shtetin laik të themeluar 100 vjet më parë për ta përshtatur me vizionin e tij për një shtet më fetar. Humbja e tij po ashtu do t’i jepte fund rrugës e më autoritare të Qeverisë së tij.

Kilicdaroglu ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu ka thënë se dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit./R.E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›