E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ditë zie për Panajot Panon

Jo vetëm futbolli, por e gjithë Shqipëria, sot mban zi për legjendën e futbollit shqiptar, Panajot Pano. Trupi i pajetë i ish-futbollistit të famshëm, do të mbërrijë sot në atdhe, ndërsa sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dita kur Panajot Pano do të shoqërohet në banesën e fundit, do të jetë ditë zie kombëtare. Flamujt nëpër institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmë shtizë, ndërsa Radio Televizioni Publik Shqiptar do të transmetojë vetëm muzikë funebre, në nderim të figurës së shquar të Panos, që u nda nga jeta në 19 janar, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pasojë e një infarkti, në moshën 71 vjecare.

Të gjitha shpenzimet për transportimin e trupit të tij në atdhe dhe për
ceremoninë mortore do të përballohen nga Ministria e Turizmit, Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve.

Panajot Pano lindi në 7 Mars të vitit 1939 në Durrës. Karriera e
sulmuesit profilik, ka filluar si portier në fakt, me ekipet e moshës të
Tiranës, por më pas ai u bë sulmuesi më i famshëm i rivalëve të qytetit
Partizani. Me të kuqtë, Pano luajti për 15 vjet - janar 1960 - maj
1975, ndërsa arriti të fitojë 4 kampionate dhe 5 kupa të Shqipërisë.

I pajisur me një teknikë fine dhe një driblim dehës, Pano thërritej me
nofkën Macja, sepse askush nuk arrinte ta kapte. Në 18 vjet karrierë,
Pano ka luajtur mbi 700 ndeshje, duke shënuar 450 gola, ndërsa ka veshur
fanellën e kombëtares 24 herë. Në muajin nëntor të 2003, ai është
zgjedhur lojtari i shekullit i Shqipërisë në jubileun e UEFA-s, nga
Federata Shqiptare, i vlerësuar si lojtari më i mirë në 50 vitet e
kaluar.

Në mars të 2009, Pano ka marrë edhe titullin nderi i kombit nga
Presidenti, Bamir Topi. Kjo është hera e parë në historinë e vendit, që
një futbollist merr këtë titull, një vlerësim që Panajot Pano e meritoi
plotësisht.

Eno Skarço

< I mëparshmi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›