E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në Kuvend projektligji për barazinë gjinore, Linda Pano: Në mëngjes burrë, në darkë grua, tmerr i vërtetë

Para Kuvendit po zhvillohet sot një protestë e organizuar nga Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës, në kundërshtim të fortë me projektligjin për “barazinë gjinore”, që pritet të miratohet në seancën parlamentare të ditës.

Sipas organizatorëve, ky projektligj, në formën aktuale, cënon strukturën tradicionale familjare, si dhe vlerat kulturore e fetare të shoqërisë shqiptare. Në protestë janë bashkuar edhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë të ndryshëm që e konsiderojnë ligjin “të rrezikshëm për vlerat e familjes”.

Në një intervistë për emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, Linda Pano, drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit Pro Familjes dhe Jetës, u shpreh:

“Një nga problemet më të mëdha që ky projektligj mban është ideja se gjinia nuk përcaktohet nga lindja biologjike, por nga mënyra si njeriu ndihet. Kjo nënkupton gjininë fluide, pra mund të jesh burrë në mëngjes dhe grua në darkë. Kjo është një katastrofë, një tmerr i vërtetë.”


Pano shtoi se formulimi në ligj i termit “burrë dhe grua në të gjithë diversitetin e tyre” hap rrugën, sipas saj, për ndryshime të thella konceptuale mbi gjininë dhe identitetin njerëzor.

Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave të të drejtave të njeriut kanë deklaruar më herët se projektligji synon përputhjen me standardet ndërkombëtare të barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, pa cenuar familjen tradicionale.

Protesta vijon përpara godinës së Kuvendit, ndërsa deputetët pritet të shqyrtojnë dhe të votojnë projektligjin gjatë ditës së sotme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›