Sot protestë kombtare, Rama bën sërish ftesën për dialog në një sofër guri

Teksa sot do të mbahet protestë kombëtare, nga studentë, pedagogë dhe bizneset, kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga ftesa për dialog. Në pamjet e publikuara nga Rama, shihet se këtë herë kryeministri ka ndryshuar strategji, duke vendosur një tip sofre të madhe guri, ndërsa rreth e qark shilte. Kujtojmë se karriget, stolat prej guri që çdo ditë Rama ka vendosur para Kryeministrisë për studentët, që të ulen në dialog, këta të fundit i kanë refuzuar.
PROTESTA
Sakaq, pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik. Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen sot në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve. Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë. Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit. Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.