E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot vendimi per ekstradimin e Arben Frrokut

Hetimet për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit të këtij viti në Tiranë, marrin një kthesë të rëndësishme, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se ka mbledhur prova ndaj të arrestuarve, në Shqipëri dhe Greqi.

Madje, në një kohë rekord, provat e marra së fundmi, janë nisur në Prokurorinë e Përgjithshme të Greqisë, e cila do t’i paraqesë sot në gjykatë, lidhur me kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare nga policia dhe prokuroria, është i dyshuari kryesor për vrasjen e Lamajt. Ai u arrestua më 25 shkurt në qytetin e Selanikut, ndërsa pala shqiptare dërgoi një kërkesë për ekstradim, bazuar edhe në ligjet ndërkombëtare. Disa ditë më vonë, Frroku doli para Gjykatës së Selanikut, ndërsa në disa deklarime publike mohoi të ketë vrarë Lamajn. Gjykata e Shkallës së Parë e Selanikut, me një vendim të shkurtuar, tha se nuk është kompetente për vlerësimin e kërkesës së palës shqiptare për ekstradimin, dhe ia delegoi Gjykatës së Lartë, në Athinë. Kjo e fundit, pritet që të marrë një vendim ditën e sotme, ndërsa vendimi pritet me interes nga drejtësia shqiptare, pasi nëse pranohet, do të jetë një “fajësi” indirekte për të arrestuarin, i cili gjithmonë i ka mohuar akuzat. Madje, edhe avokatët e tij, kanë kundërshtuar një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur masën e arrestit me burg. Por, sipas burimeve nga akuza qendrore, tashmë ka prova që implikojnë biznesmenin në vrasjen e kryekomisarit dhe ato janë nisur në Greqi. “Kemi disa prova që vërtetojnë se Arben Frroku është një nga të dyshuarit për vrasjen e Dritan Lamajt”, pohojnë burimet nga akuza, pa dashur të përcaktojnë nëse ai është ekzekutori, idoatori apo organizatori i vrasjes. Sipas tyre, të gjitha këto hamendësime do të zbardhen në ditët, javët, apo muajt në vazhdim, ku dosja vijon të hetohet me përparësi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, ditët e fundit, prokuroria ka arrestuar personin që vodhi automjetin që u përdor në vrasje. Ai është Enver Stafuka, nga Fushë-Kruja, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me Gentian Bejtjen për të grabitur automjetin tip “BMë”, ndërsa më pas ua kanë “shitur” autorëve të vrasjes. Pikërisht, ky detaj, për grupin hetimor, konsiderohet si çelësi i zbardhjes së çështjes. Duke i marrë provat në mënyrë kronologjike, akuza siguroi fakte se vrasja e Lamajt është projektuar që në momentin e grabitjes së këtij automjeti në Durrës. Ka informacione se Bejtja dhe Stafuka kanë qenë bashkë, ku ky i fundit i ka drejtuar armën një qytetari durrsak për t’i marrë këtë mjet. Tashmë, verifikimet e mëvonshme do të zbardhin edhe mënyrën e ekzekutimit, apo personat që kanë marrë pjesë, ku dyshohet se kanë qenë tre. Megjithatë, Stafuka ka mohuar të gjitha akuzat në seancën gjyqësore. I pyetur nga ana e gjykatës për këtë fakt, i arrestuari pohoi se “nuk kam kryer asnjë krim, jam i pafajshëm”. Më pas, gjykata e la në arrest me burg. Stafuka dhe Bejtja konsiderohen nga akuza si “çelësi” për zbardhjen e autorëve të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Ka informacione se ata kanë pasur miqësi me njerëzit e afërt të biznesmenit të arrestuar në Greqi, madje ka ndihmuar në gjetjen e automjetit që do të përdorej më pas në vrasje. “Kemi dyshime se këta persona kanë pasur një rol kyç në ngjarjet para datës 24 shkurt. Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka nga Fushë-Kruja, dyshohen se kanë vjedhur në Durrës mjetin ‘BMë’ me targa DR 19 44 S në pronësi të shtetasit me inicialet F.Lila. Makina u gjet e braktisur jashtë Tiranës në zonën e Domjes”, pohuan burimet. Dritan Lamaj u ekzekutua pasditen e 24 shkurtit të këtij viti në Tiranë. Tre persona, që udhëtonin me një automjet tip “BMë”, kanë qëlluar në drejtim të Lamajt, edhe ai ndodhej në një mjet, me breshëri kallashnikovi. 11 plumba kanë prekur trupin e kryekomisarit, ndërsa pas disa ditësh, Policia e Shtetit, në një konferencë për shtyp tha se “janë arrestuar në Greqi autorët e dyshuar të vrasjes, Arben Frroku dhe Jakë Jaku”. Por, më pas, prokuroria është treguar e kujdesshme në dhënien e informatave / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›