E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu ne Lezhe Beselidhje me shqiptaret per te larguar Berishen

Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar në qytetin e Lezhës një takim me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, ku është protestuar për atë që e kanë cilësuar pseudo-nacionalistin dhe diktatorin e ri të Shqipërisë Sali Berisha.

Mes qindra mbështetësve lideri i kuqezinjve Kreshnik Spahiu i ka bërë thirrje qytetarëve të Lezhës që me 7 Prill të marshojnë drejtë Tiranës për të çliruar vendin nga shtetasi dhe zyrtari më i korruptuar i cili është izoluar në bunkerin e tij në kryeqytet dhe izoloi Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Koha për çlirimin e Lezhës, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po afron. Ejani në marshimin “Gandist” drejtë Tiranës për të rrethuar kalanë e fundit e cila mbahet pushtuar. Koha për çlirimin e kombit po afron. Ne premtojmë këtu në Lezhë një Besëlidhje të re kundër ‘besprerit’ i cili na copëtoi dhe mbolli mes Shqiptarëve ndasitë më të egra. Ne ju ofrojmë një “7 Prill pa Berishën”. Të gjithë të do mblidhemi atje në pranverë si populli më liridashës për të nisur rrugëtimin tonë për çlirim. Aleanca Kuqezi ka në Lezhë vendin e ndritur të Kombit, që mban emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu” deklaroi Spahiu.

Më tej ai u ndal tek përkujtimi i Besëlidhjes së Lezhës.”Aleanca Kuqezi e çmon Lidhjen e Lezhës së vitit 1444 për disa arsye që janë jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për historinë por mbi të gjitha për të sotmen dhe të ardhmen  e Kombit Shqiptar. Lidhja e Lezhës la pas mësime të mëdha historike për popullin shqiptar.

Së pari, Lidhja e Lezhës dëshmoi se pa bashkimin midis shqiptarëve nuk mund të përballohen sfidat e lirisë, pavarësisë dhe përparimit të një kombi të vogël përballë një  perandorie të madhe, të dhunshme e barbare. Bashkimi kombëtar dhe jo përçarja, konflikti e konfrontimi janë bazat e ekzistencës dhe përparimit të popullit tonë. Lidhja e Lezhës rron në themel të doktrinës së Aleancës Kuqezi. Prandaj AK është forcë historike sepse synon të hedhë bazat e një kompromisi të madh historiko-politik duke pasur në themel mbrojtjen e interesave kombëtare, aspiratave për bashkim dhe të drejtave të shqiptarëve në Ballkan e kudo në botë. AK do të përmbylli fazën e post-komunizmit dhe do të hedhë themelin e fillimit të demokracisë funksionale në Shqipëri”, ka thënë Spahiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›