Spanjë/ Komuniteti Evropian do flasë për agresionin e Serbisë, të pranishëm Osmani dhe Vuçiq

Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.
Përveç anëtarëve të BE-së, në samit do të marrin pjesë ndër të tjera liderët e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia, Armenia, Azerbajxhani, si dhe presidentët e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Radio Evropa e Lirë bënë të ditur se takimi i tretë i tillë organizohet për t’iu dhënë shteteve mundësi për ta zgjeruar dialogun përtej kufijve të bllokut evropian me 27 anëtarë.
Ky organizim mundëson të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.
Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit – të gjitha pjesë e Komunitetit Politik Evropian – pritet të jenë në qendër të diskutimeve të 5 tetorit.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe samitit jozyrtar të BE-së një ditë më vonë.
Ai tha se situata aktuale në Kosovë do të diskutohet në margjinat e samitit të BE-së, duke paralajmëruar se “dhuna nuk është e pranueshme” dhe se “mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen si kusht për integrimin në BE”.
Presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani do të marrin pjesë në samitin e komunitetit politik evropian, ndërsa gazeta britanike The Guardian, duke cituar burime të paidentifikuara, shkruan se ka përpjekje për organizimin e takimit të tyre “megjithë armiqësinë politike mes dy vendet”.
Sipas njoftimit të Institucionit të Presidencës në Kosovë, Osmani është nisur dje për në Granada të Spanjës, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit, dhe për pasojë është vrarë një polic.
/rtsh.a/