E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speciale/ 10 ngjarjet që shënjuan vitin 2011

1. Kriza Financiare e Evropës

Kriza financiare e shkaktuar nga borxhet e larta dhe deficitet buxhetore të shteteve të Eurozonës ka pritur dhe po e përcjell vitin 2011. Së bashku me revolucionet në botën arabe, kriza ishte kryefjala e këtij viti. Vendet më të prekura nga kriza janë Greqia, Irlanda e Veriut, Portugalia, Spanja, dhe së fundmi por jo më pak, Italia. Në tre nga këto shtete u ndërruan qeveritë dhe kryeministrat, dy prej tyre (Berluskoni <u dorëhoq me 16 nëntor 2011> dhe Papandreu <u dorëhoq me 11 nëntor 2011>) u pasuan nga teknokratë (Monti në Itali, Papadhimas në Greqi), ndërsa në Spanjë, Zapatero humbi zgjedhjet e parakohshme. Përgjatë gjithë vitit janë zhvilluar protesta, greva dhe demonstrate anekënd Evropës. Arsyeja ishte e njëjtë në të gjitha vendet me pak ndryshime: rritja e taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve, e shoqëruar me planet për rritjen e moshës së daljes në pension. Edhe pse janë zhvilluar me dhjetëra takime liderësh e samite, ende sot nuk është e sigurt e ardhmja e euros, e aq më pak e shteteve të prekura rëndë nga kriza. Gjatë vitit 2012, të gjitha institucionet ndërkombëtare me në krye Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë parashikuar tkurrje të ekonomive të Eurozonës që varion nga o.6 % deri në 2 %.

2. Tërmeti dhe cunami në Japoni (11 mars)

Mesditën e 11 marsit (me kohën vendase), Japonia u trondit nga tërmeti më i fuqishëm në historinë e saj, dhe një nga tërmetet më të fuqishme që është tronditur Toka qëkur kanë filluar regjistrimet sizmologjike në vitet 1900. Epiqendra e tërmetit 9.0 ballësh ishte 70 kilometër në lindje të Ishullit Oshika. Tërmeti u pasua nga një Cunami shkatërrues, dallgët e së cilit në disa rajone arritën në 40 metra. Pasojat e cunamit ishin të pallogaritshme, 16 mijë persona të vdekur dhe qindra miliarda dollarë dëme. Sikur të mos mjaftonte me kaq, në Impiantin Bërthamor të Fukushimas pati dështime të njëpasnjëshme teknike, rrjedhje radioaktive etj, duke e bërë këtë katastrofën më të madhe bërthamore që në kohën e shpërthimit të Çernobilit në Ukrainë (1986).

3. Martesa mbretërore (29 prill 2011)

Kishte kaluar shumë kohë qëkur bota nuk kishte qenë dëshmitare e një ngjarje të tillë madhështore dhe me kaq shkëlqim – që prej 29 korrikut të vitit 1981 për të qenë ekzakt, ditën kur Princi Çarls u martua me Ledi Diana Spencerin. Këtë vit, tre muaj para 30-vjetorit të martesës së babait dhe nënës së tij, Princi William, Mbreti i ardhshëm i Anglisë, u martua me Katherine Middleton, shoqen e tij të klasës në Universitetin e St. Andrews (të njohur që prej vitit 2001 dhe të fejuar me 20 tetor 2010). Martesa u kurorëzua në at Abacinë “Westminster” në Londër dhe u transmetua nga një numër rekord televizionesh anekënd botës, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të transmetuara të vitit dhe jo vetëm. Përveç mijëra personave nga shumë shtete të botës që e kanë zbardhur natën e 28 prillit në rrugë, duke pritur, ngjarja u ndoq drejtë për drejtë nga 26. 3 milionë persona vetëm në Britaninë e Madhe (në total 36.7 milionë e kanë parë martesën në mbretëri drejt për drejtë dhe jo). Qindra milionë të tjerë e kanë ndjekur direkt nga të katër anët e globit, përfshirë edhe 72 milionë persona që e kanë shikuar në “YouTube Royal Channel”. Kostoja e kësaj martese raportohet të ketë arritur deri në 20 milionë paund.

4. Vrasja e Osama bin Ladenit (1 maj)

Mbrëmjen e së dielës të 1 majit 2011, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, bëri një deklaratë televizive ku lajmëroi zbulimin dhe vrasjen e Osama bin Ladenit, armikut më të madh të SHBA-ve. Bin Laden ishte zbuluar në një kompleks në Abbottabad, një qytet i vogël afër Islamabadit, kryeqytetit të Pakistanit. Bastisja e këtij kompleksi nga ana e marinarëve specialë amerikanë zuri botën dhe vetë zyrtarët e Islamabadit në befasi. Bin Laden iku pa shenjë e pa nishan, trupi i tij u raportua se është varrosur në Detin Arabik. Bota tashmë ka një terrorist më pak por, dyshimet që u ngritën pas vdekjes së Bin Ladenit ishin të shumta. Personi më i kërkuar i globit prej më shumë se një dekade nuk fshihej në male, por në një shtëpi normale “nën hundën” e ushtrisë pakistaneze. Rezidenca e tij ndodhej pak qindra metra larg Akademisë Ushtarake të Pakistanit. Tepër i çuditshëm është edhe fakti se si ka mundësi që ai, kryeterroristi i botës, ndodhej në një shtëpi i mbrojtur vetëm nga një grup i vogël truprojash. Diskutime të mëdha pati edhe lidhur me “ekzekutimin pa gjyq” dhe “pa i dhënë të drejtën të thoshte fjalën e fundit”. Obama theksoi se për shkak të ndjeshmërisë globale, fotot e Bin Ladenit të vrarë nuk do të publikoheshin. Bin Laden u vra, ndërsa Obama me kënaqësi shikonte se si eleminimi i armikut më të madh të SHBA-ve, i rriti mbështetjen në mesin e amerikanëve.

5. Dominik Shtraus-Kan (14 maj)

Më 14 maj 2011, policia e Nju Jorkut arrestoi në aeroport teksa po largohej nga vendi, Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kan. Ai akuzohej për sulm seksual dhe përdhunimin e 32-vjeçares Nafissatou Diallo, shërbyese në një nga hotelet më luksoze të Nju Jorkut, “Sofitel Hotel”. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, imuniteti nuk e shpëtonte dot nga prangat zyrtarin e lartë të FMN-së. Shtraus-Kan (lindur më 25 prill 1949) ishte zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i FMN-së më 28 shtator 2008 dhe shërbeu në këtë detyrë deri me 18 maj 2011, kur dha dorëheqjen si pasojë e akuzave për përdhunime.  Me 18 maj, ai u lirua me kusht nga burgu (kundrejt garancisë prej 1 milionë dollarësh) dhe u vendos në një shtëpi luksoze në Nju Jork, nga ku nuk mund të lëvizte. Me 1 qershor atij iu hoq edhe arresti shtëpiak, shërbyesja e hotelit nuk provoi dot asgjë, madje kishte gënjyer gjatë marrjes në pyetje.  Shtraus-Kan u lirua, por dëmi ndaj imazhit të tij qe i pallogaritshëm. Ai shikohej si një nga kandidatët më të fortë për postin e Presidentit të Francës, në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm, por skandali seksual e detyroi të hiqte dorë nga të gjitha detyrat dhe pretendimet për të ardhmen.

6. Uria në Afrikë  (korrik...)

Sikur të mos mjaftonin varfëria dhe sëmundjet e përhapura në katër anët e Afrikës, kontinenti u godit këtë vit edhe nga thatësira më e madhe në 6 dekadat e fundit. Në muajin korrik, Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli gjendjen e urisë në pjesën më të madhe të Somalisë Jugore. Qindra mijëra somalezë braktisën tokën e shkretuar ku banonin në kërkim të ushqimit e sidomos të ujit të pijshëm, duke kaluar kufirin me Kenian. Më shumë se 9.6 milionë persona, akoma, dëshpërimisht vijojnë të kërkojnë ushqime dhe medikamente mjekësore. Një njeriu i nevojiten vetëm 50 cent në ditë për të mbijetuar, por ata as kaq para nuk i kanë.

7. Masakra e Utojës (22 korrik)

Më 22 korrik 2011 Norvegjia përjetoi sulmin më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore. Në Oslo, një makinë bombë shpërtheu afër një grupi të njohur ndërtesash qeveritare, duke vrarë në vend tetë persona dhe duke plagosur shumë të tjerë. Pamjet televizive shokuan të gjithë vendin e pamësuar më sulme të tilla. Por më e keqja nuk kishte ardhur ende: një person i armatosur sulmoi një grup të rinjsh në ishullin e Utojas ku Partia Laburiste po bënte një kamp vere. Përfundimi qe drithërues: 69 të vdekur, mes të cilëve edhe një adoleshente kosovare. Pas dyshimeve të para lidhur me terroristin, u zbulua shpejt se autor i kësaj masakreje ishte Anders Behring Breivik, një ekstremist i djathtë 32-vjeçar. Pak para sulmit ai kishte postuar në “Facebook” një manifesto të mbushur me urrejtje për emigrantët, multikulturalistët dhe të majtët. Breivik, i cili pranoi autorësinë e masakrës, është diagnostikuar si skizofren paranojak. Në këtë mënyrë, dënimin për vrasjen e 77 personave, ai ka më shumë gjasa të kryejë në një spital psikiatrik sesa në burg.

8. Sfumohet ëndrra palestineze për shtetformim (shtator)

Procesi i paqes në Lindjen e Mesme gjatë të gjithë vitit ka qenë në agoni të plotë. Liderët palestinezë, në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në muajin shtator, pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve të OKB-së, izraelitëve dhe amerikanëve, vendosën të kërkojnë njohjen e plotë Palestinës në kufijtë e vitit 1967. I bindur se asgjë nuk do të arrihej me anë të bisedimeve me Netanjahun, Abas mbajti një fjalim emocionues para Asamblesë së Përgjithshme, ku kërkoi njohjen e plotë të shtetit të Palestinës dhe anëtarësimin e saj në OKB. Por, në muajt në vijim, përpjekja u sfomua. Vendosmëria e SHBA-ve për të vendosur veto dhe presioni i Uashingtoni ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit e ka nxjerrë pothuajse jashtë loje tentativën palestineze. Ajo ende nuk është paraqitur në Këshillin e Sigurimit për votim, nga ku ka absolutisht pak gjasa të kalojë në Asamble si pasojë e vetos së Amerikës.  Në krahun tjetër, Palestina arriti të anëtarësohej në “UNESCO” (arritje historike), veprim i cili irritoi së tepërmi SHBA-të dhe Izraelin, të cilat ndërprenë financimet për Organizatën e Trashëgimisë Kulturore (Unesco).

9. Përhapja e protestave “të zaptojmë Wall Street-in”

Më 17 shtator, disa qindra protestues në shenjë kundërshtimi ndaj fuqisë së korporatave të mëdha dhe ndikimit të tyre në jetën politike të vendit, zaptuan parkun “Zuccotti” në Manhatan dhe refuzuan të shpërnguleshin. Ishte një “zaptim” i pazakontë, pa liderë, pa agjendë dhe madje pa ndonjë qëllim të qartë, por shpejt u përhap në dhjetëra e qindra qytete anekënd Amerikës e madje edhe botës. Protestat për “drejtësi sociale dhe ekonomike” gjetën mbështetje veçanërisht në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Evropa ziente nga shtimi i masave të kursimit, rritja e taksave, shkurtimi i shpenzimeve etj, dhe njerëzit ishin të gatshëm të zaptonin rrugët në kundërshtim të pabarazive. “Ne jemi 99 për qind e popullsisë, teksa e gjithë pasuria është përqendruar në duart e 1 % të popullsisë”, pretendonin protestuesit.

10.  Vdekja e Stiv Xhobsit (5 tetor 2011)

Reagimi global ndaj vdekjes së vizionarit Stiv Xhobs (24 shkurt 1955 – 5 tetor 2011), nuk kishte asgjë të ngjashme me vdekjen e një biznesmeni mendjemprehtë me një pasuri të madhe. Por, ishte i ngjashëm me rastet kur ndërron jetë një ikonë shpirtërore ose hero nacionalist. Mes liderëve të tjerë botërorë, Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama tha se: “Bota humbi një vizionar. Nuk mund të ketë nderim më të madh për suksesin e Stiv Xhobsit se sa fakti që pjesa më e madhe e botës mësoi për vdekjen e tij përmes një pajisjeje të cilën ai ka shpikur”. Stiv Xhobs ndërroi jetë më 5 tetor 2011, një ditë pasi kompania të cilën e themeloi dhe drejtoi për shumë vite, “Apple”, prezantoi produktin e ri iPhone 4s.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-12-27 09:42
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›