E Diel, 1 Nëntor 2026

Speciale/ Festivali i 64-t i këngës në RTSH- Arlis fiton me ‘Nan’ dhe përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion 2026

Me këngën “Nan” Shqipëria do të marrë pjesë në Eurovizion 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.

Në sallën e Pallatit të Kongreseve, të mbushur plot e përplot, publiku u ngrit në këmbë dhe e shoqëroi me duartrokitje artistin që rrëmbeu trofeun e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH. Ky dedikim i ndjerë mori vlerësimin në shumicë nga juria, që kishte 50% të votave, dhe pëlqimin në masë të madhe nga publiku që e votoi me SMS.

Rikthimi i Arlis në të njëjtën skenë ku mori vendin e tretë një vit më parë ishte ogur i mirë për artistin që kësaj here u shpall fitues. “Unë kam folur për Nënën, shpresoj që ta kem bërë Nënën time krenare. Do bëj maksimumin tim në Eurovizion. Do jap shpirtin. Ishte kjo këngë që mua më bëri të vija në Fest 64 dhe ky ishte vendi i duhur për këtë këngë.” – u shpreh fituesi Arlis.

Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me “Ta Kam Fal”, ndërsa çmimin e tretë e fitoi Sheila Haxhiraj me këngën “Zemra e Tokës”. Kjo mbrëmje ishte shumëçka, jo vetëm muzikë por edhe spektakël.

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH solli një sukses të vërtetë. Katër netë ku përveç këngëtarëve në garë performuan edhe mjaft të ftuar special. Katër netë ku muzika dhe fjala ecën krah për krah dhe sollën netë të paharrueshme.

Nata e parë e festivalit shënoi nisjen e një edicioni që erdhi me risi dhe një format krejtësisht inovator, ku këngët u shoqëruan jo vetëm me performancë, por edhe me efekte speciale. Magjia e skenës shoqëroi interpretimet live të artistëve pjesëmarrës, të cilët u ngjitën në skenë të shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar dhe bendi. Nata e parë u çel me këngën fituese të Festivalit të 35-t “Pyes lotin”, e sjellë këtë herë nga zëri i Elhaida Danit, duke krijuar një moment emocionesh për publikun.

Shtatë anëtarët e jurisë, profesionistë të spikatur – Ramë Lahaj, Bleona Qereti, Olen Çezari, Belinda Budini, Valentin Veizi, Anila Basha, Zef Çoba – sollën vlerësimet e tyre profesionale për prurjet e Fest 64. Të ftuarit special ndezën skenën e Natës së parë. Skena e Fest 64 u mbush me energji dhe ritëm sapo Kroni Pula u ngjit për të interpretuar këngën “Fruta Perime”, performancë që u prit me entuziazëm nga publiku. Kënga, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision, solli në festival atmosferën e gjallë dhe dinamike që e karakterizoi edhe në skenën ndërkombëtare.

Salla e mbushur plot e përplot tregoi afërsinë me muzikën cilësore shqiptare, nën një skenografi të kuruar deri në përsosmëri nga Albi Çifliku. Skena ishte e të gjithëve, jo vetëm e artistëve në garë, por edhe e monologjeve dhe mesazheve të forta përjetimesh.

E ftuara e parë e mbrëmjes së dytë, Gala Dragoti, dhuroi një performancë autentike. Artistja u prit me entuziazëm nga publiku, duke sjellë një atmosferë melankolike dhe moderne njëkohësisht. Nata e nostalgjisë e festivalit Fest 64 nisi me performancën e ndjerë të këngëtares Arilena Ara. Kjo natë dhuroi emocione jo vetëm për nostalgjikët, por për të gjithë publikun që mbushi plot e përplot sallën e Pallatit të Kongreseve.

Një moment i rëndësishëm i natës së tretë ishte ngjitja në skenë e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili, e cila përcolli një mesazh të fortë dhe emocionues gjatë Fest 64, duke e cilësuar festivalin e këngës jo vetëm si një ngjarje artistike, por si një shtyllë të identitetit kulturor shqiptar. “Në këtë festival ndoshta ka ndodhur ajo që nuk ka ndodhur askund tjetër: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat, ata kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar, kanë fituar dhe kanë qenë bashkë. Ndoshta në këtë festival ka ndodhur ajo që politika do të kishte dashur shumë ta realizonte: shqiptarët nga e gjithë bota të mblidheshin në Tiranë, në qendrën e shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë. Historia na mëson se organizime të tilla janë mekanizma mbijetese, për të krijuar bashkësi, identitet kulturor dhe për të qenë gjithmonë bashkë përmes gëzimit. Dhe ky festival i mishëron të gjitha këto.” – u shpreh ajo.

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Publik Shqiptar ka nderuar me Çmimin e Karrierës Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Vasili tha se orkestra i ka shoqëruar festivalet për 64 vite rresht dhe sipas saj ky festival nuk do të ishte i mundur të realizohej pa të. “Ky është një moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje; jemi në momentin për të dhënë Çmimin e Karrierës.”

Enkas për Festivalin e Këngës, si i ftuar special, ndezi skenën e Pallatit të Kongreseve këngëtari estonez Tomy Cash, ndërsa performoi tre këngë, njëra prej të cilave hitin “Espreso Makiato”. Rikthimi i hiteve që lanë gjurmë në publik erdhi ndryshe; Bleona Qereti solli një tjetër dimension të artistes me shumë vite karrierë artistike. Gjatë kësaj finaleje në skenë u ngjitën në një duet zëra të njohur të muzikës shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Fituesit e edicionit të një viti më parë, Shkodra Elektronike, nuk kishin si të mungonin në këtë mbrëmje, me një performancë elektrizuese. Ndërsa nuk munguan edhe grinta që patën mes tyre prezantuesit Salsano Rrapi dhe Arilena Ara.

Kënga ndali këtu rrugëtimin me katër netë ku muzika e mirë dhe forca e fjalës në vargjet e poetëve ecën krah për krah dhe ku mesazhet që u përcollën shkuan në çdo familje. Festivali i Këngës uli siparin e 64-t për t’u ritakuar vitin e ardhshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›