Specializimi i mjek
• Shefqet DELIALLISIFinancimi i sistemit shëndetësor kudo në botë konsiderohet problematik. Askush nuk është i kënaqur. As ai që për shëndetësinë shpenzon 4000 $ për frymë, as ai që shpenzon 400 $ e më pak. Të gjithë kërkojnë më shumë. Ndonëse në rritje, financimi i shërbimit shëndetësor tek ne është mjaft i ulët. Kjo mbasi kontributi 3.4 % për skemën e sigurimit shëndetësor është mjaft i ulët, dhe skema mjaft e kufizuar. Me një financim prej 3 % të GDP-së kurrsesi nuk mund të pretendohet për një sistem shëndetësor të avancuar. Kjo sigurisht duhet të na bëjë të jemi me këmbë në tokë dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme në kontekstin e potencialit ekonomik të një vendi të varfër, me shumë probleme të trashëguar nga e kaluara. Por ndonëse i pamjaftueshëm, a shpenzohet si duhet ky financim? A kemi njerëz të specializuar për t’i shpenzuar si duhet edhe këto fonde të pamjaftueshme? Sipas të dhënave, 47 % të fondeve për sistemin shëndetësor shpenzohen për medikamentet (360 milionë euro). Duke analizuar këtë shifër dalin dy probleme. Së pari, përdorim i tepërt dhe pa kriter i medikamenteve dhe së dyti, orientimi jo i drejtë i sistemit, jo drejt edukimit dhe parandalimit, por drejt mjekimit. Ekziston një thënie: “Hiq dorë nga ilaçet kur je mirë me shëndet, përdori ato vetëm kur janë të nevojshme”. Por çfarë ndodh në praktikën e përditshme? Konstatohet një përdorim pa kriter i medikamenteve, një “ ndotje medikamentoze” problematike. Pakkush del nga dera e mjekut pa një recetë të mbushur plot me medikamente. Pakkush nga fëmijët del nga dera e pediatrit, qoftë dhe vetëm me një gjendje të zakonshme temperature të lartë, pa antibiotikë, madje rrallë pa dy, dhe recetën të mbushur plot e përplot. Dhe kjo ‘sëmundje‘, veç problemeve që mund të krijojë për shëndetin, ka dhe një faturë ekonomike jo të vogël. Mjekët, në mënyrë të pavarur, kanë të drejtë të pakufizuar të lëshojnë receta për çfarëdo medikamenti që t’ia presë mendja, pa konsideruar faktin se receta është një çek, madje pa konsideruar dhe faktin se paratë nuk janë të tyret, por të taksapaguesve. Sigurisht që të sëmurët në çdo rast duhet të marrin mjekimin e duhur, më të mirin e mundshëm, por me të drejtë lind pyetja: Sa të kualifikuar janë mjekët, sidomos ata të familjes, për të bërë zgjedhjen e duhur? Dihet që cilësia është kosto-efektivitet, po kush do ta sigurojë këtë cilësi? Ka parametra që vlerësojnë aftësitë e këtyre mjekëve? Apo mjafton vetëm diploma e cila mund të jetë marrë edhe njëzet apo dhe tridhjetë vjet më parë dhe më pas asnjë libër nuk është hapur? Mjekësia është një shkencë shumë dinamike, ku gjërat evoluojnë me shpejtësi dhe padija ndikon në kurimin jo të saktë, por edhe në aspektin ekonomik, duke shpërdoruar fondet në dispozicion të shërbimin shëndetësor, që siç thamë mësipërm, janë tepër të kufizuara. Të gjitha këto e bëjnë specializimin e mjekëve të domosdoshëm, ndërsa rikualifikimin e vazhdueshëm, të detyrueshëm. Po cilët duhet të jenë prioritarë: Mjekët specialistë apo mjekët e familjes? Apo thënë ndryshe, duhet vazhduar si dhe më parë të shtojmë mjekët specialistë, apo të specializojmë mjekët e familjes? Tendenca botërore është drejt specializimit të mjekëve të familjes, mbasi kjo jo vetëm e bën sistemin shëndetësor më efikas edhe më ekonomik, por bën që nga njëra anë qytetarët të edukohen për mbrojtjen e shëndetit, të kontrollohen edhe kur nuk janë të sëmurë dhe nga ana tjetër ndjekja e të sëmurëve kronikë nga mjeku i familjes është më efikase, mbasi ai jo vetëm viziton dhe mjekon, por duke qenë më afër të sëmurit, vlerëson dhe efektin e mjekimit, mundësinë e ndërprerjes apo ndryshimit të mjekimit etj. Në Holandë aktualisht njihen rreth 585.000 njerëz me diabet (Tip2). Kostoja vjetore për trajtimin e tyre është 430 milionë euro. Në përpjekje për ta reduktuar këtë kosto, sigurisht duke siguruar kujdesin shëndetësor adekuat, është bërë transferimi i menaxhimit të diabetit nga specialistët tek mjekët e përgjithshëm. Në Holandë 90% e të gjithë njerëzve me diabet trajtohen në shërbimin parësor. Por mjekët e përgjithshëm në mbarë botën e zhvilluar janë vërtet mjekë të përgjithshëm. Në vitin 1995 gjatë një trajnimi, i ftuar nga shoqata e mjekëve të familjes së qytetit të Utrehtit në Holandë, kryetari i shoqatës më dhuroji tre volumet me protokollet e mjekimit, që në mënyrë të unifikuar përdoreshin nga të gjithë mjekët e familjes. Çfarë të shihje! Mjeku i familjes trajtonte nga rreziku i abortit deri tek migrena, pothuaj gjithë sëmundjet e zakonshme të veshëve e syve pa diskutuar hipertensionin, 90% të diabetit, sëmundjet e zemrës etj., etj.Por çfarë ndodh tek ne? Në një shkrim në revistën “Fokus” botuar nga ISKSH, drejtoresha ISKSH-së, rendit rezultatet pozitive të një reforme të rëndësishme financiare në kujdesin parësor. Në një ndër problematikat që ajo ngre thekson se: “Trajnimi dhe kualifikimi i mjekëve të përgjithshëm dhe të familjes lë për të dëshiruar”. Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme, por dhe një problem shqetësues, që komprometon rëndë çdo tentativë për reformë. Me mjekë të pakualifikuar asnjë financim nuk mund të përdoret me efikasitet.Para pak ditësh, në një konferencë mbi cilësinë e shërbimit shëndetësor, një drejtues i shërbimit ambulator në paraqitjen e tij ankohej se, pacientët e lagjeve të Tiranës po i ‘turreshin’ QSUT-së e cila po shndërrohej në një ambulancë lagjeje, dhe për këtë fajin e kishte QSUT-ja që i pranonte!!!. Kush e ka fajin?Një gjë është e sigurt: Të sëmurët nuk kanë asnjë faj. Eshtë e drejtë themelore e tyre që të zgjedhin të vizitohen tek mjeku më i aftë, se në fund të fundit, njeriu zgjedh berberin ku qethet, e jo më mjekun. Problemi qëndron tjetërkund. Qëndron tek paaftësia e mjekëve ambulatorë, në radhë të parë mjekëve të familjes. Mjeku i familjes është thjesht një ‘polic’ që drejton trafikun drejt mjekëve specialistë, duke u dekualifikuar vetë çdo ditë. Dhe këtë e konstaton sapo futesh në poliklinikat e specialiteteve, apo pavijonet e spitaleve. Njerëzit presin në radhë të gjata para dyerve të mjekëve specialistë për një dhimbje të thjeshtë veshi, një sëmundje të thjeshtë të syrit, një glicemi të lartë, apo një dhimbje të rëndomtë kyçesh etj. Dhe mjekët e familjes, që duhet të jenë shtylla kryesore e sistemit shëndetësor janë jo pak. Në 413 qendrat shëndetësore të kontraktuara nga ISKSH-ja punojnë 1625 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes dhe 6636 infermierë.Por si të zgjidhet problemi? Sigurisht që nevojë urgjente është specializimi dhe kualifikimi i mjekëve të familjes, madje të gjithë sapo të mbarojnë fakultetin e Mjekësisë. Shtimi më tej i mjekëve specialistë duhet të jetë i mirëstudiuar, i mbështetur në tendencën kombëtare të sëmundshmërisë dhe jo qesim, sipas dëshirës së njërit apo tjetrit. Një mjek familje i specializuar, i aftë do të shëndoshë gjithë sistemin shëndetësor, do të përmirësojë dukshëm shëndetin e njerëzve dhe do të bëjë të mundur uljen e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor. Por një problem jo më pak i rëndësishëm janë dhe infermieret e shërbimit ambulator që punojnë në shërbimin parësor, apo ambulatorisht me mjekët specialistë. Ata përbëjnë një armatë të pa shfrytëzuar, që thjesht regjistrojnë emrat e pacientëve që mjeku viziton dhe vetëm kaq!. Bëjnë një punë që s’ka as një lidhje me shërbimin shëndetësor ndaj pacientit, një punë, që fare mirë mund ta bëjë çdo njeri, mjafton të dijë shkrim e këndim. Ndërkohë, që tashmë shumica e këtyre infermiereve vijnë nga shkollat e larta publike e private të infermierisë që kanë ‘përmbytur‘ gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që koleget e tyre në botën e zhvilluar janë shtylla të sistemit shëndetësor. Ato përbëjnë një potencial të madh që duhet menjëherë të futet në veprim, madje në punën më të rëndësishme, në parandalimin e sëmundjeve, në edukimin e njerëzve të shëndoshë, në parandalimin e ndërlikimeve të sëmundjeve kronike etj., etj. A është racionale – pyet një autor i shquar - që të vazhdojmë me përsosjen e mëtejshme, por shumë të kushtueshme, të preparateve farmaceutikë, apo duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për të ndryshuar mjedisin ‘toksik‘ që ndikon në shfaqen e sëmundjeve? Dhe kjo mund të bëhet vetëm në nivelin e shërbimit shëndetësor parësor, nga mjekët dhe infermierët e familjes. ’Nuk janë zgjidhjet klinike - theksojnë ekspertët - ato që do frenojë shtimin e sëmundjeve më problematike të shekullit: obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit etj., sëmundje këto që po falimentojnë edhe financat e sistemeve shëndetësore të vendeve më të zhvilluara të botës. E vetmja ‘digë‘ që mund të frenojë këtë “përmbytje”, është investimi në nivelin kombëtar të parandalimit dhe në shëndetin publik. Lufta duhet të përqendrohet në parandalimin dhe edukimin shëndetësor. Lufta duhet të bëhet dhe fitohet në kopshte e shkolla. Dhe kjo luftë do të mund të bëhet vetëm me mjekë dhe infermiere të shërbimit parësor, të aftë dhe të specializuar.