E Enjte, 5 Nëntor 2026

Spiro Leka, pozicion i dyfishtë me Ferrarën

Spiro Leka, trajneri shqiptar që militon prej vitesh me sukses në basketbollin italian, tanimë do ta vazhdojë bashkëpunimin e tij me klubin e Ferratës. Klubi me pronar Françesko D’Auria ka njoftuar zgjatjen shumëvjeçare të kontratës me Spiro Lekën, i cili do të mbajë dhe pozicionin e drejtorit sportiv. Pra trajner dhe drejtor sportiv i Ferrarës. Leka mbërriti në Ferrara në janar 2019 dhe ka kontribuar në mënyrë substanciale në rritjen e klubit, si në aspektin e rezultateve teknike, ashtu dhe të organizimit dhe drejtimit teknik.

Pas shpëtimit nga rënia një kategori më poshtë në sezonin e tij të parë, Leka e ka dërguar klubin e basketbollit të Ferrarës në gjysmëfinale për ngjitjen në serinë A1 të Italisë në sezonin, i cili sapo u mbyll. Zgjatja e kontratës ka për qëllim hedhjen e hapave më të mëdha përpara dhe forcimin e klubit të basketbollit në nivele të larta.

“Në fakt kemi qenë dakord për vazhdimësinë që në fundin e kampionatit dhe do të duhet të ndodhte një gjë e tillë. Kemi mbyllur të gjitha detajet e kontratës edhe duke folur me menaxherin. Kanë qenë të gjithë dakord për të vazhduar bashkëpunimin. Por gjëja kryesore është se objektivi i Klubit të Basketbollit të Ferrarës nuk ka ndryshuar. Pra do të duhet të vazhdojë rritja dhe të përpiqemi ta rendisim skuadrën në vendet e para për t’u ngjitur më pas në elitën e basketbollit italian.

Dhe në momentin që të gjithë kanë thënë se duhet të jemi më ambicioz, mbi të gjitha sponsorët kryesorë, atëherë jemi takuar lehtësisht. Jam i nderuar dhe krenar që do të vazhdojë bashkëpunimin me këtë skuadër, gjithnjë duke kërkuar më të mirën. Pavarësisht se do të kem dhe detyrën e drejtorit sportiv për mua nuk ndryshon asgjë. Përkundrazi do të vazhdojmë të rritemi të gjithë për ta çuar Ferrarën atje ku duhet”, ka thënë Spiro Leka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›