Spiropali mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur sot ngushëllimet e saj të thella për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.
Në një mesazh prekës, Spiropali e përshkruan Bukoshin si një “aktor në rreshtin e parë të skenës së historisë moderne të Kosovës dhe dëshmitar i dorës së parë”. Ajo theksoi se Bukoshi ishte “ndër njerëzit simbol të së shkuarës së afërt të Kosovës dhe projektimit të së ardhmes së saj, e cila erdhi.”
Spiropali vuri në pah rolin thelbësor të Bukoshit krah ish-Presidentit Ibrahim Rugova, duke i cilësuar ata si “luftëtarë të mëdhenj ëndërrimtarë të Kosovës dhe për Kosovën Republikë.” Sipas saj, “rezistenca, sqima dhe veprimtaria e tyre fituan mbështetje të gjerë Perëndimore dhe u prinë ngjarjeve të mëdha, lirisë, pavarësisë dhe shtetit demokratik të Kosovës.”
Duke reflektuar mbi parimet që udhëhoqën veprimtarinë e tyre, Spiropali shtoi: “Ata dhe patriotët që i mbështetën besuan se fuqia qëndron tek e drejta, dhe se e drejta e sakrifica janë fuqia e vërtetë e një populli.”
Mesazhi i saj përfundon me një shprehje respekti dhe mirënjohjeje: “Respekt dhe mirënjohje për këtë njeri-simbol! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”
Vdekja e Bujar Bukoshit shënon humbjen e një figure kyçe në historinë bashkëkohore të Kosovës, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë.
/rtsh.al/