E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali në Athinë: Rikonfirmuam mbështetjen e Greqisë për integrimin tonë europian

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Athina se, mbyllja e grup-kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027 është një sfidë e madhe, por e realizueshme.

Në një konferencë të përbashkët me homologun grek, Giorgos Gerapetritis, pas takimit mes tyre, Spiropali u shpreh se bashkëbisedimi u karakterizua nga sensi i nevojës dhe përgjegjësisë për thellimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Objektivi ynë kombëtar dhe shoqëror, kushtetues dhe shpirtëror pjesë e identitetit tonë kombëtar, integrimi europian, vijoi Spiropali, “nënkupton mbylljen e grup-kapitujve të negociatave deri në vitin 2027, një sfidë e madhe por e realizueshme dhe e dakordësuar”.

Spiropali shprehu mirënjohje për mbështetjen vazhdueshme dhe vendimtare të Greqisë në këtë proces.

“Mbështetje që ka qenë dhe do të mbetet shumë e rëndësishme për ne”, tha ajo.

“Me presidentin dhe ministrin, mikun tim, mora rikonfirmimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon edhe me Presidencën e ardhshme e Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027”, u shpreh Spiropali.

Duke cituar fjalët e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Spiropali iu referua kësaj vizite si vizitë tek një fqinj i formuar nga ndjesa e bukurisë, filozofia, miti dhe ideja e demokracisë, një trashëgimi që na lidh dhe na frymëzon reciprokisht.

“Popujt tanë që bashkëjetojnë ndër shekuj nën këto troje kanë formuar lidhje të fuqishme njerëzore”, tha Spiropali.

Spiropali theksoi se, “edhe sot që flasim marrëdhënia jonë e ngritur mbi lidhje historikisht të thella, njerëzisht të pandashme dhe gjeografikisht të patundshme zhvillohet mbi ura vlerash dhe interesash të përbashkëta ku minoriteti grek dhe bashkëkombasit tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, shumë syresh me shtetësi të përbashkët janë urat më të fuqishme të kësaj fqinjësie”.

“Bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona mbështet sot edhe në dy shtylla të fuqishme, e sotmja e përbashkët në aleancën e Atlantikut të veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian”, shtoi ministrja.

Spiropali theksoi se, “për të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e vetë qeveria e Edi Ramës e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve tona, qysh në programin e parë të qeverisë dhe në vijim”.

Ndaj ndërkohë, theksoi ministrja, “ne duam të thellojmë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në përgatitje për një Presidencë sa më produktive, në raport me rajonin tonë, ku Greqia në krye të BE-së, do të jetë si të thuash “the adult in the room” për Ballkanin Perëndimor”.

“Ne presim që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithësecilit”, tha Spiropali.

Spiropali gjithashtu kërkoi thellim dhe diversifikim të bashkëpunimit ekonomik me Greqinë.

“Greqia si fuqi rajonale ekonomike, mbetet një partner shume i rëndësishëm për Shqipërinë. Treguesit e tregtisë dhe investimeve e vendosin Greqinë në krye të listës së partnerëve tanë kryesorë, por jemi të gatshëm për ta çuar në nivel tjetër këtë bashkëpunim”, tha Spiropali.

“Shqipëria është vendi ideal për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme greke, por dhe për të mëdhatë”, u shpreh ministrja, ndaj shtoi ajo, “në një klimë miqësore, mikpritëse, lehtësuese, me burime njerëzore që mirëkuptohen në gjuhë, kulturë dhe traditë, ne duhet të kemi ambicien e përbashkët që të tejkalojmë rregullisht vitin më të mirë të investimeve greke në vendin tonë dhe në importet dhe eksportet e përbashkëta. Kemi potencial të madh ende të pashfrytëzuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”.

“Edhe nesër në takimin me përfaqësues të biznesit grek do të bëj thirrje, ashtu si dhe prej kësaj foltoreje, për rritjen e investimeve direkte në Shqipëri, si dhe për të thelluar dhe diversifikuar bashkëpunimin ekonomik”, tha Spiropali.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Greqi.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›