Spiropali në Azerbajxhan: Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik!

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë si paneliste në takimin parlamentar për “Ndryshimet Klimatike”, i cili zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
Kryetarja e Kuvendit Spiropali u shpreh se “Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale, sipas Marrëveshjes së Parisit, duke i kthyer ambiciet kombëtare për klimën në veprime të prekshme, në disa sektorë kyç që mund të shkaktojnë ndryshimet klimaterike, si energji, bujqësi, menaxhimi i mbetjeve, proceset industriale etj. Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik, si një faktor kyç i reduktimit të emetimeve. Aktivitetet prodhuese të vendit bazohen në energji 100% të rinovueshme” tha zonja Spiropali.
Duke folur për strategjinë afatgjatë, kryetarja e parlamentit shqiptar tha se ajo përfshin rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, duke vënë theksin tek energjia diellore dhe ajo e erës. “Në vitin 2023 Shqipëria u bë një eksportuese neto e energjisë së prodhuar në vend përmes hidrocentraleve dhe shpalli Lumin Vjosa si Parkun e parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë, një hap novator që promovon praktika të zhvillimit të qëndrueshëm, ruan ekosistemet jetike dhe promovon turizmin miqësor ndaj mjedisit, i cili sjell përfitime për komunitetet vendore. Shqipëria është fokusuar gjithashtu tek avancimi i masave të efiçencës së energjisë”, tha Spiropali.
Spiropali bëri të ditur se “Kuvendi i Shqipërisë është angazhuar në formësimin e politikave të klimës, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërministror dhe duke mbikëqyrur progresin e zbatimit të objektivave kombëtare për ndryshimet klimatike”.
“Shqipëria është e angazhuar të vijojë këto përpjekje, duke integruar teknologji të reja, duke nxitur partneritetet publik-privat, perspektivat rinore dhe gjinore, dhe karakterin gjithëpërfshirës të përpjekjeve për mbrojtjen e klimës dhe të planetit”, tha Spiropali.
/ rtsh.al /