E Enjte, 5 Nëntor 2026

Spiropali takim me homologun e Maqedonisë së Veriut: Anëtarësimi në BE, prioritet strategjik i vendeve tona

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kryeparlamentarja Elisa Spiropali u takua sot me homologun e saj të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në kuadë të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shkup me ftesë të këtij të fundit.

Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, Spiropali nënvizoi se Shqipëria është për fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe me RMV, si një shembull bashkëpunimi në rajon e më gjerë.

“Shqipëria mbështet perspektivën europiane të RMV sepse anëtarësimi në BE është prioritet strategjik i dy vendeve tona. Si partnerë në NATO, do të vijojmë të bashkëpunojmë e kontribuojmë për sigurinë e stabilitetin në rajon e më gjerë. Ne mbështesim përfaqësimin e drejtë e proporcional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nxisim kontributin e tyre si një faktor demokratizimi, zhvillimi, integrimi euroatlantik dhe stabiliteti dhe, bashkë me maqedonasit në Shqipëri, rolin si ura lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona”, u shpreh Spiropali.

“Presim ndryshimet kushtetuese, ende të paarritura, të realizohen. Shqipëria dhe RMV-ja do të vijojnë të jenë pjesë aktive në nismat rajonale, si Fondi i Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Procesi i Brdo-Brijunit, Procesi i Berlinit, RYCO, BSEC, NAI, MARRI etj. Korridori VIII do të shërbejë si një mekanizëm lidhjeje, infrastrukture, energjis dhe sigurie. Intensifikimi i marrëdhënieve parlamentare mes dy Kuvendeve do t’i shërbejë fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregtar dypalësh dhe miqësisë mes popujve tanë”, shtoi ajo.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Afrim Gashi, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe nënvizoi se Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht Maqedoninë e Veriut dhe është i vetmi vend fqinj me të cilin nuk ka probleme.

“Bashkëpunimi na e bën më të lehtë rrugëtimin drejt BE. Sot hapëm dyert për rritjen e bashkëpunimit mes dy Kuvendeve në të gjitha nivelet, mes komisioneve e deputetëve. Bashkëpunimi parlamentar do të nxisë bashkëpunimin dypalësh politik, ekonomik, tregtar, energjetik, infrastrukturor, arsimor, kulturor etj.”, u shpreh Gashi gjatë takimit.

1 nga 4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›