Spiropali takon komunitetin shqiptar në Greqi: Angazhim për të drejtat dhe pensionet për ata që jetojnë e punojnë në vendin fqinj

Ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Athinë, duke theksuar lidhjet e forta kulturore dhe historike midis shqiptarëve dhe vendit të tyre.
Spiropali vlerësoi sakrificën, punën dhe dinjitetin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, duke theksuar se ata nuk harrojnë rrënjët e tyre.
Ministrja siguroi gjithashtu se qeveria shqiptare është e angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet dhe për të garantuar të drejtat dhe aksesin në shërbime për komunitetin shqiptar jashtë vendit.
“Ku ka shqiptarë, ka zemër të mirë, ngrohtësi, atdhedashuri. Me shqiptarët e Greqisë, që përfaqësojnë një kapitull të gjallë të historisë moderne të Shqipërisë, në një pritje të veçantë kuqezi në zemër të Athinës. Krenare për këtë komunitet që me sakrificë, punë, ndershmëri, dinjitet ka ndërtuar jetën pa harruar rrënjët.
Ne jemi plotësisht të angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/