Spiropali vizitë zyrtare në Turqi, thellohet partneriteti strategjik me Ankaranë, në fokus stabiliteti dhe ekonomia

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka filluar një vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i saj, Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare, Numan Kurtulmuş.
Gjatë takimit, dy palët theksuan rëndësinë e marrëdhënieve strategjike dhe bashkëpunimit të shtuar në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe stabilitetit rajonal.
Në delegacionin e Kryetares Spiropali, e cila mbajti edhe një fjalim në seancën plenare të Parlamentit turk, bënin pjesë deputetë të Komisioneve për Politikën e Jashtme dhe Ekonominë, si dhe anëtarë të Grupeve të Miqësisë mes dy vendeve si Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit për Ekonominë,Milva Ekonomi, Damian Gjiknuri, Lefter Gështenja, anëtarët e Grupit të Miqësisë Bardhyl Kollçaku dhe Kreshnik Çollaku, si edhe Anbasadorja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadej.
Mesazhet kyçe, nga NATO te mbështetja për Kosovën
Kryetarja Spiropali nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në miqësinë e fortë tradicionale dhe në një partneritet strategjik që po forcohet çdo ditë. Ajo theksoi rolin e Shqipërisë dhe Turqisë si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik.
“Bashkë me Presidentin Kurtulmuş dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare po punojmë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, duke intensifikuar bashkëpunim e suksesshëm mes Kuvendit dhe Asamblesë së Madhe Kombëtare, në nivelet më të larta, mes komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve, si edhe në organizatat parlamentare shumëpalëshe. Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin rajonit dhe botës stabilitet siguri e paqe, të cilat janë të nevojshme në çdo kohë, por janë të një rëndësie kritike në kohën që jetojmë, kur retë e luftës nuk janë më në horizont, por rrotull vendeve tona. Të dy vendet tona kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon, Turqia si garante historike e natyrale, dhe Shqipëria që po merr gjithashtu një rol lidershipi në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbështesin bashkërisht nismat rajonale për zhvillimin, sigurinë dhe mbrojtën e paqes.”, tha Spiropali.
Mesazhet kryesore të bisedimeve
Mesazhet kryesore gjatë këtyre bisdedimeve ishin bashkëpunimi në NATO. Si anëtare aktive të Aleancës, të dy vendet kanë një qasje të përbashkët 360-gradëshe.
Spiropali shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar ngushtë me Turqinë për një Samit të suksesshëm të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.
Në takim u theksua edhe forcimi i lidhjeve ekonomike. Pavarësisht se Turqia është partneri i katërt tregtar i Shqipërisë, me investime prej rreth 3.7 miliardë dollarësh që kanë krijuar 15 mijë vende pune, u theksua se bashkëpunimi ekonomik duhet të ngrihet në nivelin e partneritetit strategjik.
Lidhur me mbështetjen për Kosovën, Spiropali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, përfshirë lobimin për njohje ndërkombëtare dhe votimin në favor të anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.
Sa i përket qëndrimit për Ukrainën, kryeparlamentarja rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, në përputhje me qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së.
Nga ana e tij, Presidenti Kurtulmuş vlerësoi Shqipërinë si një vend mik me lidhje të thella historike dhe qëndrime të përbashkëta për sigurinë dhe paqen në Ballkan. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për të zhvilluar më tej marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin parlamentar.
Në fund të vizitës, Kryetarja Spiropali vizitoi Mauzoleun e Mustafa Qemal Ataturkut, si dhe Muzeun e Luftës për Pavarësi, një simbol i rëndësishëm i marrëdhënieve historike mes dy kombeve.
/rtsh.al/