Spiropali viziton Katedrën e Shqipes në Napoli, vatra e Rilindjes Kombëtare

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë pranë Katedrës së Shqipes, pjesë e Universitetit “l’Orientale” të Napolit. Vizita u realizua në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Dialogun Mesdhetar MED2025.
Kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë historike, pasi shënon herën e parë që një Ministër i Jashtëm shqiptar viziton këtë katedër, e cila është e para e këtij lloji në botë për Gjuhën, Letërsinë dhe Filologjinë shqipe, si dhe nismëtare e shkencës së albanologjisë.
Rëndësia historike e Katedrës
Katedra e Shqipes në Universitetin “l’Orientale” është themeluar nga rilindasi Jeronim De Rada dhe vlerësohet si një nga vatrat ku u farkëtua mendimi politik dhe ndërgjegjja e Rilindjes sonë Kombëtare. Siç theksoi Spiropali, De Rada e themeloi atë me ndërgjegjen politike të rilindjes së identitetit etno-gjuhësor si arbëresh, në kornizën e Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Kjo qendër shërbeu si baza për krijimin dhe vijimësinë operacionale të katedrave të tjera të mësimit të shqipes në Itali dhe më gjerë.
Bashkëbisedimi me studentët
Ministrja Spiropali u prit nga Rektori Roberto Tottoli, me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentë italianë, shqiptarë të gjeneratës së dytë dhe arbëreshë që studiojnë shqip dhe albanologji në këtë institucion prestigjioz.
Gjatë bashkëbisedimit, Spiropali konfirmoi mbështetjen e plotë të institucioneve shqiptare për forcimin dhe thellimin e lidhjeve akademike, shkencore, kulturore e sociale mes dy vendeve, duke nënvizuar rolin jetësor të Katedrës në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe historisë shqiptare.
/rtsh.al/