Spitali Universitar i Traumës drejt transformimit të plotë me investime në infrastrukturë dhe teknologji moderne

Spitali Universitar i Traumës po vijon procesin e rikonstruksionit dhe modernizimit, në kuadër të investimeve që synojnë përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor, si edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Transformimi i ambienteve spitalore përfshin përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e një qendre moderne të traumës dhe integrimin e teknologjive inovative, duke krijuar standarde bashkëkohore në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Njëkohësisht, po vijon puna për shtrirjen e sistemit të kondicionimit në të gjithë strukturën, si pjesë e investimeve për garantimin e kushteve optimale për pacientët dhe personelin.
Standardet e reja janë tashmë realitet në godinën e rikonstruktuar, ku funksionojnë Konsultat e Specializuara Ambulatore dhe Shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme. Ndërkohë, punimet vijojnë edhe në pjesën tjetër të strukturës së Spitalit Universitar të Traumës, duke e çuar përpara procesin e modernizimit të plotë.
Çdo investim i realizuar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më modern, më efikas dhe më cilësor, në shërbim të qytetarëve.
/rtsh.al/