E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spitali Universitar i Traumës gati pajisjet e reja me teknologji të avancuar

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka prezantuar në rrjetet sociale investimet e reja në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës.

Sipas znj. Koçiu, investimet e reja në sallën operatore me pajisjet më moderne, si O-Arm, janë një teknologji e avancuar që mundëson trajtimin e patologjive delikate me saktësi maksimale.

Ndërsa Fatos Olldashi, shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë pranë spitalit të Traumës, thotë se spitali është pajisur me aparaturat më moderne që disponojnë sallat e operacionit të neurokirurgjisë.

“Aparatura O-Arm është një skaner brenda sallës së operacionit. Kjo bën të mundur kryerjen e ndërhyrjeve shumë precize a delikate, që janë pjesë e patologjive, sëmundjeve që trajtohen në Shërbimin e Neurokirurgjisë. Vlen të përmendet edhe blerja e neuronavigatorit dhe neuromonitorit,” shprehet z. Olldashi.

Në këtë shërbim është shtuar edhe endoskopia për ndërhyrje mini-invazive, duke garantuar më shumë siguri, trajtim më efikas dhe një rikuperim më të shpejtë për pacientët.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›