E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Traumës, trajtim sipas standardeve më të mira për foshnjat me anomali të lindura

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Në Shërbimin e Ortopedisë Pediatrike pranë Spitalit Universitar të Traumës, çdo vit marrin trajtim rreth 200 fëmijë të moshës 0-1 vjeç me anomali të lindura, përmes teknikave operatore bashkëkohore, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Prindërit e fëmijëve me këto anomali të lindura, shprehen në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale se falë profesionalizmit të ekipit mjekësor dhe përdorimit të metodave moderne të diagnostikimit dhe trajtimit, pacientëve të vegjël u ofrohet kujdes i specializuar, i sigurt dhe efikas, duke rritur ndjeshëm mundësitë për një zhvillim të shëndetshëm dhe cilësi më të mirë jete.

Një prind shprehet se me anomalinë e fëmijëve janë njohur që në ekon morfologjike në shtatzëni.

“Tani jemi duke ndjekur procesin e gipsit. Të shohim nëse do jetë e nevojshme për ndërhyrje kirurgjikale. U them prindërve që përballen me situata të tilla që ta marrin me qetësi se çdo gjë do kalojë”, u shpreh një prind.

Të tjerë prindër që kanë përfituar nga këto shërbime shprehin mirënjohjen për përkushtimin dhe kujdesin e treguar nga stafi mjekësor, duke vlerësuar jo vetëm profesionalizmin e ekipit, por edhe mbështetjen njerëzore gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe rikuperimit.

Mesazhet e tyre janë dëshmi e besimit te shërbimi publik shëndetësor dhe te puna e përditshme e mjekëve, infermierëve dhe specialistëve që kujdesen për shëndetin e fëmijëve.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›