Spiunët e Sigurimit të Shtetit/ Sula: Kandidatët për deputetë të vetëdeklarohen! Certifikata e pastërtisë, kriter për garën elektorale

Veç formularit të dekriminalizimit, kandidatët për deputetë apo kryetarë bashkie duhet të plotësojnë edhe një tjetër formular, të vetëdeklarojnë nëse kanë patur apo jo lidhje me ish-sigurimin e shtetit.
Verifikimi i pastërtisë së figurës për kandidatët, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, propozon që të jetë kriter dhe të reflektohet në ndryshimet e kodit zgjedhor për të cilat palët janë ulur tashmë në tryezë.
Lënia në vullnetin e lirë të partive apo kandidatëve, sipas saj nuk ka prodhuar rezultat.
Me ndryshimet në kodin zgjedhor, duhet të mundësohet vetëdeklarimi i kandidatëve për lidhjet me sigurimin e shtetit sepse nuk po ndodh.
Ndonjë parti e vogël ka sjellë verifikim, por partitë kryesore jo. Të bëhet për të gjithë për çdo kandidat. Dhe partitë pastaj e dinë vetë cilin kandidat vendosin. Transparenca të garantohet’, thotë Gentiana Sula, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve.
Në tryezën e reformës zgjedhore, Autoriteti i të Dosjeve e ka dorëzuar një propozim konkret që ndër të tjera u ngarkon kandidatëve përgjegjësinë e deklarimit të rremë, ashtu siç ndodh në rastin e dekriminalizimit që humbasin mandatin e fituar në zgjedhje.
‘I jemi drejtuar bashkëkryetarit të reformës zgjedhore, por edhe kuvendit me alternativa. Kemi që nga viti 2018 që as partitë nuk na sjellin kandidatët e tyre për verifikim, por as kandidatët nuk vijnë vetë.
Alternativa e parë është që kur të regjistrohen partitë politike në zgjedhje, 70 ditë para të sjellin kandidatët e tyre potencialë për ti verifikuar.
Alternativa e dytë që 50 ditë para zgjedhjeve kur regjistrohen kandidatët për deputetë mund ti verifikojmë në atë moment.
Dhe alternativa më e mirë dhe më e pranueshme është vetëdeklarimi i kandidatëve që të përfshihet në kodin zgjedhor’, shprehet Skënder Vrioni, anëtar i Bordit të Autoritetit të Dosjeve.
Edhe pse pas miratimit të ndryshimeve ligjore 1 vit më parë që shfuqizoi çertifikatat e pastërtisë të dhëna nga komisionet Mezini dhe Bezhani, Drejtuesja e Autoritetit të dosjeve e cila raportoi para komisionit të ligjeve, tha se në zgjedhjet vendore të 14 majit, verifikim për kandidatët kërkuan vetëm dy parti të vogla./m.j